Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në emisionin “Kjo javë” nga gazetarja Nisida Tufa në “News 24” deklaroi se mos-hapja e negociatave nga ana e BE është një dështim madhor i Edi Ramës.


Gjekmarkaj tha se Edi Rama duhet të kërkojë falje se ka gënjyer shqiptarët duke thënë më herët se ka datë për hapje negociatash, ndërsa shton se duhet gjithashtu të japë dorëheqjen.



“Mendoj se në Shqipëri problemi është i rëndë. Kjo qeveri ka gënjyer, duke thënë se vendi ka marrë një datë. Kryeministri ka thënë se merren këmbët nga emocionet për lajmin, që doli gënjeshtër. Rama duhet t’ju kërkojë falje për gënjeshtrën shqiptarëve. Ky ishte një dështim i madh i Ramës. Kryeministri do të shpikë diçka që të harrohet ky dështim shumë i madh. Ky është një dështim 30-vjeçar, por duhet thënë se Edi Rama ka 7 vjet dhe ka përgjegjësitë e tij.

Nuk na ka faj Europa. Diskursi antieuropian nuk shkon. Thjesht Europa nuk do Shqipërinë sepse vendi ynë nuk ka standarde. Po ta shohësh Shqipërinë nga avioni duket sikur e kanë ngrënë qentë. Vendi ynë duket si demokraci alla-turke, ngjajmë si Konference Islamike. Edi Rama të dorëhiqet, opozita të veprojë, të organizohet e ta rrëzojë.

Në rast se ne do të ishim si Sllovenia apo Zvicra do të pranoheshim, por ne jemi dele e zezë e Europës, jemi bazë e narko-trafikut, jemi kthyer në një vend të varfër dhe të pashpresë, këtu vidhen dhe grabiten votat. Faji është i yni dhe jo i Europës.”, tha Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj mendon se Shqipëria nuk ka përmbushur detyrat e vëna nga BE-ja, duke shtuar se vendi ynë penalizoi përpos vetes, edhe Maqedoninë Veriore.

“Shqipëria penalizoi vetveten dhe penalizoi edhe Maqedoninë e Veriut, sepse ju e dini se ka pasur plan nga shtete të BE që Maqedonia e Veriut të trajtohet veçmas. Mendoj se në fund është vendosur kështu, që mos të ndajmë shqiptarët me një shtet që ka 20 vjet shtet. Edhe lidershipi në Maqedoninë Veriore ka përgjegjësi për këtë dështim të pamerituar që pati për negociatat”, u shpreh Gjekmarkaj.

Për Agron Gjekmarkaj, opozita tashmë duhet të vetë-organizohet dhe të përpiqet të rrëzojë nga pushteti një kryeministër që ka zhytur Shqipërinë në një demokraci afunksionale.

“Mendoj se po duhen zgjedhje të parakohshme, kemi një opozitë që ka dalë jashtë sistemit. Në Shqipëri hajdutët e votave nuk dënohen dhe kjo është shumë e rëndë. Kushtet e Gjermanisë nuk janë plotësuar. Asnjë kusht që ka vendosur Gjermania nuk është plotësuar. Kjo qeveri duhet të largohet dhe të ketë rotacion.

Unë nuk bëj pjesë në bindjet se në njërin krah qenkan engjëjt dhe në palën tjetër qenkan djajtë. Opozita ka 7 vjet që nuk është fare në pushtet. Marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës kanë qenë të pabesa. Është Rama ai që ka thënë se ka marrë 1 milionë vota, se opozita paska marrë shpullë, duke thënë se është i vetëm i fuqishëm. Rama ka marrë të gjitha pushtetet e do çdo pushtet. Edi Rama është ai njeri që përtej skandaleve, përtej JO që merr nga Europa, tenton të ketë mandat të tretë. Opozita nuk duhet që të qëndrojë më, por të veprojë.

Unë kam bindjen se opozita me protestat e saj, ka bërë një sërë aksionesh duke dërguar zërin deri tek ndërkombëtarët.  Rama ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe kryeminisiti duhet të japë dorëheqjen vetë. Opozita ka për detyrë që të ndërgjegjësojë dhe i duhet që të ndërtojë besimin te shqiptarëtr, duhet ta rrëzojë Edi Ramën, sepse me lutje e deklarata Edi Rama nuk rrëzohet”, tha ai.

Agron Gjekmarkaj foli edhe për rolin e opozitës së re në parlament, rolin e saj si dhe për reformën zgjedhore.

“Opozita e re në Kuvend është një turp i ri dhe nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht. Ajo është një pseudo-opozitë, që ka në përbërje njerëz që janë bërë paterica të Ramës. Ata kllounë kanë dalë nga lista e PD dhe Partia Demokratike duhet të mbajë përgjegjësitë e veta për ata figura-palaco, e për fat të keq ka nga ata që nuk dinë shkrim e këndim.

Unë mendoj se opozita nuk duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Opozita ka marrë përgjegjësi morale dhe t’i qëndrojë parimeve, sepse kërkon standarde. Opozita duhet të forcohet gradualisht. Unë kam bindjen se nëse Lulzim Basha bëhet kryeministër, duhet të bashkëpunojë me të gjitha forcat e jo një kryeministër tiran, që kontrollon si piramidë, duke krijuar një rreth të ngushtë njerëzish që pasurohen.

Reforma Zgjedhore duhet që të implementohet drejt dhe jo të bëhet kjo reformë në mënyrë hipokrite. Edhe Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, as reforma në drejtësi nuk po ecën siç menduam”, deklaroi Gjekmarkaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb