Sot ajo është një koreografe dhe një balerinë profesioniste, por teksa kujton fillimet e saj, Olta Ahmetaj rrëfen se nuk ka qenë aspak e lehtë. Në studion e “Rudina” ajo tregon se ka dashur që të hiqte dorë nga baleti dhe të mos konkurronte në Akademinë e Arteve.
Megjithëse baletin e kishte pasion për të cilin ishte ushtruar që në vegjëli, eksperiencat me mësuesit, egoja dhe xhelozia në gjimnaz e kishin bindur që të hiqte dorë nga ëndrra e madhe për të “pushtuar” skenat gjigante të operave dhe shfaqjeve.
Teksa rrëfen me nostalgji Olta Ahmetaj shprehet se ka qenë pikërisht babai i saj ai i cili e bindi që të vazhdonte rrugët të cilën kishte vite që e kishte nisur, për të atin balerina e njohur shpreh falenderimet më të përzemërta.
Olta Ahmetaj: Unë personalisht nuk do të isha sot koreografe ose balerinë nëse nuk do të më kishte ndikuar im atë në një moment të caktuar të jetës sime.
Rudina Magjistari: Si ka ndodhur?
Olta Ahmetaj: Ka pasur disa ngjarje në vazhdimësi, duke marrë parasysh që shkolla e baletit fillohet që në moshë të vogël dhe vazhdohet për vite me radhë. Dhe praktikisht janë shumë vite që të formojnë, të vrasin, të gëzojnë, të mësojnë dhe disiplinojnë. Baleti i ka të gjitha format e mundshme të emocioneve. Gjatë këtyre viteve unë kam pasur dhunti në vizatim teknik dhe kam qenë shumë e mirë në matematikë e në fizikë, gjë që rrallë ndodh tek pjesa e baletit sepse mësimet i kishim të reduktuara duke pasur parasysh që i jepet rëndësi formimit artistik. Nga e gjithë ajo periudha e gjimnazit ti përballesh me shumë situata negative, me shumë ambicie, ego, përfshirë këtu dhe ambicie të mëdha të mësuesve me nxënësit jo vetëm të nxënësve me njëri-tjetrin.
Rudina Magjistari: Ja kjo gjë nuk më kishte vajtur ndonjëherë në mendje se kishte konkurrencë edhe xhelozi profesionale mes mësuesit dhe nxënësit.
Olta Ahmetaj: Sidomos në shkollën e baletit që është vetëm një.