Një sasi prej 40 kg drogë e llojit kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Lezhës në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli”.
Policia sqaroi se kanë arrestuar tre persona, të cilët transportonin lëndën narkotike në aksin rrugor Shkodër – Tiranë. Shërbimet e policisë kanë ndaluar automjetin tip “Renault” me të cilin dyshohej se po transportohej lënda narkotike, ku janë gjetur 3 thasë me cannabis sativa, me peshë totale 40 kilogramë e 200 gramë.
Në pranga përfunduan shtetasit Ergys Markja, drejtuesi i mjetit si dhe Dorjan Salla dhe Artur Demiri, me precedentë të mëparshëm penalë.
Njoftimi:
Vijojnë goditjet ndaj veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”. Sekuestrohen 40 kilogramë e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Vihen në pranga 3 shtetas që u kapën në flagrancë, në fshatin Gocaj, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, në drejtim të Tiranës, me qëllim shitjen në doza.
Të tre të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në vijim të goditjeve të pandërprera ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike drejt Tiranës, me qëllim shitjen në doza, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, për dokumentimin e rastit dhe arrestimin e autorëve.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Shkodër – Tiranë”, në fshatin Gocaj, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Renault” me të cilin dyshohej se po transportohej lënda narkotike. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën 3 thasë më lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 40 kilogramë e 200 gramë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
E. M., 32 vjeç, banues në Tiranë (drejtuesi i automjetit);
D. S., 36 vjeç dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë (pasagjerë në automjet).
Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike që u gjet në automjetin e marrë me qira nga shtetasi E. M., po transportohej në drejtim të Tiranës, me qëllim shitjen në doza.
Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 4 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.