Të gjithë mendojnë se të shtunën në Berlin, Paul Pogba do luaj ndeshjen e fundit me Juventusin, por në një intervistë për “L’Equipe” mesfushori francez mohon gjithçka: “Njerëzit mund të besojnë atë që duan, për mua është një finale, një ndeshje e madhe, jam i përqendruar vetëm në këtë sfidë në asgjë tjetër. Për sa i përket të ardhmes time, nuk kam thënë kurrë që kjo do jetë ndeshja e fundit me Juventusin. Nuk kam asnjë pishman, jam i lumtur këtu, gjithnjë kam dëshiruar të luaj ndeshje të tilla. Është një ëndërr e realizuar”.
Kjo deklarate e Pogba është një frymëmarrje për tifozët dhe mbi të gjitha për drejtuesit e Juventusit që shohin tek francezi lojtarin e të tashmes dhe mbi të gjitha shtylla kryesore nga ku do të formohet Juventusi i së ardhmes. Nuk mund të mungonte dhe një koment nga Pogba për sfidën kundër Barcelonës:
“Të gjithë e dimë se si luan Barcelona, ka sulmin më të mirë në botë. Mund ta përgatisësh taktikisht ndeshjen si të duash, por kjo nuk të bën të fitosh ndeshjen. Duhet të jesh agresiv dhe me fat. E dimë që nuk jemi favorit por do japim gjithçka. Bëhet fjalë për një finale dhe nuk i dihet kurrë se si mund të përfundojë. Messi? Sot për sot është futbollisti më i mirë në botë. Barcelona? Më pëlqen loja e tyre, më pëlqen ti shoh, por më pëlqen më shume ti shoh duke humbur të shtunën”, u shpreh Pogba.

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb