POGRADEC –Kryeministri Rama ka vizituar shëtitoren e re që po ngrihet në breg të liqenit të Ohrit, 17.3 km të gjatë, të gjelbëruar nga të dyja anët dhe me korsi biçikletash. Ai është shprehur i kënaqur me spastrimin që ka bërë INUK-u në këtë zonë “të asaj barbarie dhe kafshërie për 20 vjet” dhe me shëtitoren e re të ndërtuar.

“Objektivi është që kur të fillojë sezoni, të jemi në kushte të tjera komplet, – tha Rama. – Të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes.

Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash,” – tha Rama.

Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.

Për ndërtimet që u shembën përgjatë vijës liqenore pati debate të ashpra ndërmjet opozitës dhe Qeverisë për muaj të tërë, pasi pronarët e tyre pretendonin se ishin shpronësuar nën vlerën e tregut. PD-ja i mbështeti këkesat e tyre, veçanërisht në rastin e disa objekteve në Udënisht.

REAGON PD: RISHFAQJA E RAMËS NË POGRADEC, DËSHMI E FJALËVE TË SHUMTA DHE PUNËVE TË PAKTA

Pas deklaratave të Kryeministrit në Pogradec, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se “rikthim i përsëritur i Edi Ramës në bregun e Liqenit të Pogradecit ju kujton qytetarëve vetëm papërgjegjshmërinë e tij”.
“Kjo rrugë ka nisur në periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Po mbushen pothuaj dy vjet qeverisje të kësaj maxhorance dhe e vetmja gjurmë që ka lënë Rama në të është bllokimi dhe ndërprerja e punimeve ç’ka ka sjellë stres dhe kosto të madhe ekonomike për banorët, dhe bizneset e gjithë qarkut të Korçës të cilët udhëtojnë në këtë aks. Rishfaqja për të katërtën a të pestën herë në këtë rrugë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë autostradë prej dhjetëra e dhjetëra kilometra, është qesharake dhe dëshmi e fjalëve të shumta dhe punëve të pakta. Në Pogradec ka zemërim dhe ironi për shëtitjet pa bukë të kryeministrit dhe ato që lëshon nga goja të cilat janë shpesh fyese dhe të papranueshme. Puna në këtë segment ecën me ritmin e breshkës sikurse është edhe ritmi i punës së qeverisë së Ramës.”- deklaroi Spaho.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: