POGRADEC- Një vijë uji është bërë shkak për një konflikt mes disa kushërinjve në fshatin Vërri të Mokrës, në Pogradec. Pesë vëllezër janë konfliktuar me djalin e xhaxhait të tyre, por sherri ka degjeneruar në përdorimin e kosës dhe lopatës.

Pas sherrit, ky i fundit ka përfunduar në spital me plagë të rënda në kokë, brinjë të thyera dhe një vesh të prerë, për shkak se i kanë gjuajtur më kosore.

Tashmë i plagosuri gjendet në spitalin e Pogradecit jashtë rrezikut për jetën, dhe ruhet nga policia pasi është vënë nën hetim.

Pjesë e sherrit ishte administratori i njësisë administrative, Gëzim Alla bashkë me katër vëllezërit e tij. Ata janë konfliktuar me djalin e xhaxhait të tyre, Kujtim Alla, pasi kishin futur në tokën e këtij të fundit një ekskavator për të hapur një vijë uji.

Sherr mes dy fiseve që ka nisur prej 7 vitesh ka përfunduar me dëmtime të rënda për Kujtim Allën. Atij i është prerë njëri vesh si dhe ka pasur brinjë të thyer gjatë sherrit.

Policia ka ndaluar një prej vëllezërve të Gëzim Allës, por familjarët e të dëmtuarit thonë se është ky i fundit përgjegjës për plagosjen. Ata kërkojnë arrestimin e administratorit, pasi në të kundërt paralajmërojnë vetëgjyqësi.

Ata gjithashtu lëshuan një apel edhe ndaj kreut të bashkisë, Eduart Kapri, që të marrë masa ndaj njeriut që ka vendosur si administrator në Proptisht, i cili sipas tyre “në vend të zgjidhë hallet e njerëzve përkundrazi shkakton të tilla ngjarje”.

Ndërkohë policia e Pogradecit thotë se është duke hetuar për të zbardhur të plotë ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Verri të Mokrës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: