Nga: Lediona Xheladinaj*

POGRADEC- Shpërthimi i një bombole gazi në një lokal të mbushur dingas me klientë ka shkaktuar 32 persona të plagosur. Flakët e zjarrit sa hap e mbyll sytë kanë përfshirë gjithë lokalin, duke zënë në befasi personelin e shërbimit si dhe klientët, shumica prej tyre të rinj, por edhe burra të moshës 40-45 vjeç. Tmerr. Panik. Ulërima dhe thirrje për ndihmë: Po digjemi, po digjemi të gjallë! Të gjithë kanë parë vdekjen me sy.

Secili ka shpejtuar të dalë jashtë qarkut të ferrit për të shpëtuar. Shumë prej personave që kanë qenë në lokal kanë dalë jashtë dhe janë turrur drejt përroit që ishte aty pranë për të shuar flakët. Për pasojë, shumë prej tyre janë shpërfytyruar nga zjarri. Ngjarja e rëndë, me një bilanc të plagosurish si në një atentat terrorist, ka ndodhur pasditen e djeshme në qendër të fshatit Beragozhdë, i cili ndodhet pak kilometra larg qytetit të Pogradecit (në hyrje të tij). Zhurma e fuqishme e shpërthimit në lokalin në pronësi të Dashamir Muçkës ka tronditur banorët, të cilët kanë shpejtuar që të shpëtojnë të plagosurit. Me makina personale, ata kanë transportuar të plagosurit për në spitalin e Pogradecit. Falë ndërhyrjes së shpejtë të tyre, nuk ka pasur viktima. Ndërkohë, në vendngjarje ka shkuar dhe policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas hetuesve të çështjes, ka qenë një bombol, e cila përdorej për ngrohjen e ambienteve të lokalit, që ka shpërthyer duke plagosur 32 persona. Ndërsa, burime jozyrtare pohuan se në lokalin ku ndodhi shpërthimi ka pasur dy bombola gazi. Të gjithë të plagosurit fillimisht janë dërguar në spitalin e Pogradecit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërkohë, 23 prej tyre, me djegie të shkallës së rëndë, janë transportuar më pas për mjekim më të specializuar në Repartin e Djegieve Plastike në QSUT. Mësohet se 6 prej tyre janë në gjendje më të rëndë, të shkallës së 3-të dhe të 4-rt. Nga ana tjetër mësohet se në momentin që ka ndodhur ngjarja, pronari Dashamir Muçka nuk ka qenë aty. Ai ka deklaruar se nga shpërthimi janë plagosur dhe dy djemtë e tij, të cilët ndodhen aktualisht në Tiranë.
NGJARJA
Kanë shkuar për të pirë kafe, por kanë përjetuar ferrin. Rreth orës 17:30, mbi 30 persona e kanë gjetur veten mes flakëve. Mësohet se fillimisht ka pasur një rrjedhje të vogël gazi nga bombola e gazit dhe në pak sekonda ajo ka shpërthyer. Në çast zjarri është përhapur me shpejtësi dhe klientët e punonjësit e lokalit janë përfshirë nga paniku. Një pjesë e tyre kanë vrapuar jashtë. Disa janë përpjekur të shuajnë flakët në trup me se të mundeshin. Disa janë shtrirë përtokë duke ulëritur. Të parët kanë qenë banorët e fshatit, të cilët kanë shpejtuar që të shpëtonin të afërmit e tyre, ndërsa kanë njoftuar policinë. Ata janë shprehur se për një kohë të gjatë nuk do ta harrojnë atë skenë të llahtarshme, kur të afërmit e tyre luftonin për t’i shpëtuar vdekjes. Në vendngjarje mbërritën 2 ambulanca, zjarrfikësja si dhe grupi hetimor, i cili nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ishte aksidentale. Mbrëmë, në orët e vona, burime nga policia deklaruan se 23 persona të plagosur janë dërguar në Tiranë; 3 ndodhen në spitalin e Pogradecit (Kirurgji); 3 në spitalin rajonal të Korçës (në reanimacion), ndërsa 2 të tjerë kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit dhe janë kthyer në banesat e tyre.

Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dëshminë e një 60-vjeçari. Ramiz Muçka, i cili pak para se të ndodhte shpërthimi ishte në lokal, tregoi me detaje “luftën” e mbi 30 personave me vdekjen.

Zoti Ramiz, mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 17:30, unë isha duke dalë nga lokali. Ndodhesha vetëm pak metra larg tij, kur dëgjova një shpërthim të fuqishëm. U tmerrova, thashë se çfarë po ndodhte. U ktheva menjëherë, ndërsa pashë lokalin mes flakëve. Klientëve dhe punonjësve të lokalit u kishin marrë flakë rrobat. Nuk po u besoja syve çfarë po shikoja. Doja të futesha brenda, por ishte e pamundur për shkak të flakëve. Disa ishin shtrirë përtokë, disa të tjerë po tentonin të shuanin flakët në trup me karrige, ndërsa të tjerë ishin turrur me vrap drejt përroit për të shuar flakët. Dëgjoja ulërima dhe të bërtitura: Po digjemi të gjallë!
Ishte e tmerrshme, teksa po shikoja djemtë e mi të digjeshin, se të gjithë ata që ndodheshin brenda të tanët ishin.

Çfarë ndodhi më pas?
U mblodhën gjithë banorët e fshatit. Ishin të tmerruar njëlloj si unë. Të tërë së bashku ndihmuam që të shpëtonim ata që ishin brenda në lokal. I morëm përkrahësh dhe më pas i nisëm me makina personale drejt spitalit të Pogradecit. Dëgjoja të qara e të ulëritura. Ishte e tmerrshme!

Dini gjë se cili ishte shkaku i shpërthimit?
Më thanë se ka pasur rrjedhje gazi nga një bombol, me të cilën ngrohej ambienti i lokalit. Brenda pak sekondash është dëgjuar shpërthimi. Ata që kanë qenë brenda, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. I pashë me sytë e mi teksa mbanin kokën mes duarve. E tmerrshme të shkosh të pish kafe dhe të shikosh njerëzit mes flakëve! Fatmirësisht nuk patëm viktima.

Kishe të afërm brenda në lokal?
Brenda në lokal kanë qenë dhe dy nipërit e mi, të cilët janë dërguar në Tiranë. Ata kanë marrë djegie të rënda në trup, kryesisht në duar dhe në fytyrë. Unë ndihmova jo vetëm nipërit, por edhe të tjerët. Nuk mund të veçosh asnjë kur bëhet fjalë për jetën. Ky është fshat i vogël dhe të gjithë jemi të afërt me njëri-tjetrin.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: