TIRANE- Teksa partitë e mëdha po shpejtojnë të përmbyllin koalicionet për zgjedhejt e 21 Qershorit edhe tre aleatë së majtës, Paskal Milo, Skënder Gjinushi dhe Artur Dojaka janë parë sot së bashku, në hotel Tirana në kryeqytet.

Nuk dihet nëse ka qenë një takim miqësor apo zyrtar, por e sigurt është që partitë e tyre janë renditur respektivisht në vendin e katërt, pestë dhe gjashtë për nga numri i votave të fituara, në 23 qershor.

Bëhet fjalë për tri parti të papërfaqësuara në qeverisje, megjithëse ekziston një marrëveshje mes tyre dhe PS-së, e firmosur nga vetë Rama para zgjedhjeve të 2 viteve më parë. Së bashku ato morën mbi 30 mijë vota në zgjedhjet e fundit.

Milo dhe Gjinushi kanë tërhequr shpesh vëmendjen për shkeljen e marrëveshjes në fjalë, kurse Dojaka, është shfaqur më i rezervuar në publik.

Milo është shprehur disa ditë më parë për një koalicion të ri në zgjedhjet lokale me parti të majta që janë ndjerë të papërfillura nga maxhoranca aktuale, pavarësisht se në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 arritën të sigurojnë një numër të konsiderueshëm votash.

Ndërsa Gjinushi ka paralajmëruar se do dalë i vetëm në këto zgjedhje.

Se çfarë kanë biseduar, mbetet ende mister. Ndoshta një pol i ri po lind brenda së majtës…

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: