NGA:AURORA KOROMANI*TIRANE-“Shpëtuam, sepse na mbroji helmeta. Ibrahimi u qëllua i pari”. Ky është rrëfimi që dy efektivët e plagosur, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj u kanë dhënë forcave policore pas transportimit në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Burime pranë uniformave blu thanë pwr “Gazetwn Shqiptare” se dy efektivët kanë shpjeguar atë që ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në Lazarat dhe se si kanë arritur të shpëtojnë nga breshëria e armëve.

Isaj, i cili ka qenë edhe efektivi me më shumë eksperiencë nga të plagosurit, ka treguar se ai bashkë me efektivin e vrarë dhe Perlat Hamitajn udhëtonin me mjetin tip “Volkswagen” me targa MB 060 AA, ndërsa para tyre ka qenë makina e blinduar. “Kemi marrë informacion se duhej të shkonim pranë vendit të quajtur ‘kazinoja’, pasi duhej të bënim shoqërimin e një personi të dyshuar se kishte qëlluar ndaj policisë. Para nesh ka qenë makina e blinduar dhe në momentin që do zbrisnim, u qëlluam me armë zjarri”, është shprehur efektivi i plagosur para shokëve të tij.

Ndërsa punonjësi tjetër i forcave speciale, i cili ka mbetur i plagosur në kokë, ka pohuar se e ka mbrojtur nga vdekja pikërisht helmeta që mbante në kokë. “Në momentin që do zbrisnim nga makina, u qëlluam me armë zjarri. I pari u qëllua Ibrahimi, pastaj unë dhe më pas Jetmiri. Unë u plagosa në kokë dhe për fat të mirë më ndihmoi helmeta që kisha, ndërsa Ibrahimi e kishte ngritur pak helmetën dhe plumbi e kapi në kokë”, ka rrëfyer Hamitaj para shokëve të tij, ndërsa ka shtuar se i ka shpëtuar vetëm fati nga breshëria e plumbave me të cilët janë qëlluar. Burime pranë efektivëve sqarojnë se në operacion kanë qenë më shumë se 20 efektivë, të cilët kishin marrë urdhrat për të ndihmuar efektivët e policisë lokale për lokalizimin dhe neutralizimin e një grupi që mendohej se kishte hapur zjarr ndaj forcave policore.

Kurthi
Në orën 02:00 të së mërkurës, efektivët e RENEA-s janë lajmëruar se në zonën e quajtur “Kazinoja” mbi Kordhoc, një grup personash ishin të armatosur dhe kishin hapur zjarr ndaj efektivëve të Policisë së Gjirokastrës. I njëjti informacion është marrë edhe në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm dhe pas këtij informacioni, në fshatin e Lazaratit mbi Kordhoc është futur një makinë e blinduar, e cila në rrugë ka arritur të evidentojë një automjet, brenda të cilit ka qenë i riu Xhuliano Malo. Sapo efektivët kanë pikasur atë, kanë lajmëruar shërbimin që ndodhej në hyrje të fshatit që të shkonin dhe të merrnin të riun me makinë. Ky ka qenë edhe veprimi fatal për efektivët e forcave speciale, sepse nëse Malo do ishte futur brenda blindit, tragjedia do ishte shmangur. Pasi grupi i dytë i specialëve kanë shkuar të shoqërojnë Malon me makinë të pablinduar, grupi i zjarrit ka qëlluar në drejtim të tyre, pasi ata i kishin zënë pritë policisë dhe nga ky zjarr ka humbur jetën efektivi Ibrahim Basha dhe janë plagosur dy të tjerë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb