Nga AURORA KOROMANI*

TIRANE – Efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët prej afro dy vitesh nuk kanë marrë paratë që u takojnë për orët shtesë, shumë shpejt do t’i marrin ato. Pas publikimit të lajmit në “Gazeta Shqiptare” në datën 5 tetor të këtij viti me titullin: “Efektivët e policisë, dy vjet pa marrë lekët e orëve shtesë”, duket se institucionet përgjegjëse kanë filluar ta marrin më seriozisht situatën me punonjësit e policisë, duke u premtuar atyre se lekët që u takojnë do t’i marrin para Vitit të Ri. Lajmi konfirmohet nga burime brenda radhëve të policisë, të cilëve ka vetëm pak ditë që u kanë transmetuar lajmin se më në fund do të marrin paratë e orëve shtesë, të cilat kanë që prej dhjetorit të vitit 2012 që nuk i marrin. Pjesë e kësaj skeme do të jenë edhe efektivët të cilëve u takojnë të marrin lekët për shërbimet suplementare që kanë kryer gjatë kësaj periudhe. Deri tani dihet me siguri se përfitues të shumës që është përcaktuar do të jenë të gjithë efektivët e policisë në të gjitha komisariatet e vendit, të cilët kanë punuar me orë shtesë, por ende nuk dihet se sa do të jetë shuma që ata do të marrin. Sipas të njëjtave burime, edhe për punonjësit e policisë kriminale priten përmirësime. Kjo, pasi efektivët që janë pjesë e kësaj strukture që prej vitit 2006 jo vetëm që nuk kanë marrë veshjet civile, por as nuk janë kompensuar në lekë për mungesën e këtyre veshjeve. Prandaj këtë vit, secili prej këtyre efektivëve do të marrë nga 18 mijë lekë të reja.

SHKRIMI
Në shkrimin e datës 5 tetor, “Gazeta Shqiptare” ka shkruar se problemi i policëve që nuk marrin lekët për orët shtesë apo edhe për shërbimet suplementare e ka zanafillën që para dy vitesh, kur punonjësit e uniformave blu kanë marrë këstin e fundit të parave që u takojnë nga orët shtesë. Po në këtë shkrim është përmendur edhe rasti i efektivëve të policisë të Komisariatit Nr.2 në Tiranë, të cilët nuk kanë marrë shpërblimin që u takon për shërbimet suplementare. “Rasti kur efektivëve u është premtuar që do të shpërblehen për punën që kanë bërë është edhe ai i efektivëve të Komisariatit Nr.2 në kryeqytet. Këtyre të fundit, në maj të këtij viti u është premtuar se do të merrnin shpërblim për punën e bërë gjatë operacionit të arrestimit të bandës së ushtarakëve në kryeqytet, të cilëve iu gjet dhe sekuestrua afro 100 kilogramë tritol. Pas këtij operacioni, falë të cilit u arrestuan 4 ushtarakë, efektivëve që morën pjesë në këtë operacion u kanë premtuar shpërblim në shumën e një page të plotë, por edhe pse kanë kaluar afro 6 muaj që nga ky operacion, efektivët ende nuk e kanë marrë këstin që u kanë premtuar”, citohet në shkrimin e “Gazeta Shqiptare”. Pas këtij shkrimi të publikuar edhe në agjencinë e lajmeve “BalkanWeb”, ka ardhur reagimi i parë, nga institucioni i Avokatit të Popullit, dhe reagimi i dytë ka qenë nga instancat përkatëse, të cilat kanë premtuar se do t’u japin punonjësve të uniformave blu paratë që u takojnë.

REAGIMI
Në 26 nëntor, nga zyra e shtypit e Avokatit të Popullit thuhet se ky institucion ka regjistruar rastin e bërë publik në media, në “Gazeta Shqiptare” dhe më pas në “BalkanWeb”, në artikullin me titull “Policët, 2 vjet pa marrë paratë e orëve shtesë të shërbimeve”. Lidhur me këtë artikull, Avokati i Popullit (AP) shpreh shqetësim se artikulli flet hapur se janë shkelur të drejtat e punonjësve të policisë, ndaj rekomandon që të merren masa në këtë drejtim.

Lidhur me këtë çështje, AP i ka dërguar një letër ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në dijeni dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Artan Didi. “Sipas artikullshkruesit, situata paraqitet e njëjtë në të gjitha organet e policisë në vend dhe shuma totale që qeveria u ka efektivëve të policisë shkon rreth 20 milionë lekë të reja. Gjithashtu në këtë artikull trajtohet edhe problemi i mosdhënies së shpërblimeve të premtuara për punë të mirë punonjësve të policisë.

Një nga këto raste përmendet ai i Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, për punën e mirë për zbulimin dhe arrestimin e bandës së ushtarakëve në kryeqytet, të cilëve iu sekuestruan afro 100 kg tritol. Për shqyrtimin e këtij rasti, me shkresën e datës 17.10.2014 i kërkuam shpjegime Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në bazë të kësaj kërkese, Drejtoria e Standardeve Profesionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me shkresën Nr. 1448/1 Prot., datë 24.10.2014, ndërmjet të tjerave na informoi se, problemi i ngritur në media qëndron, por buxheti i planifikuar ka qenë i pamjaftueshëm. Gjithashtu në këtë shkresë informohemi se, me qëllim shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura, DPP i ka bërë kërkesë Ministrisë së Financave dhe pritet shumë shpejt alokimi i burimeve financiare të nevojshme. Në fund, Avokati i Popullit ka rekomanduar: “Marrjen e masave për sigurimin e fondeve të nevojshme për rritjen e buxhetit të Policisë së Shtetit, me qëllim pagimin e punonjësve të policisë për orët e punës shtesë, shërbimet suplementare dhe shpërblimet për punë të mirë, konform akteve ligjore e nënligjore në fuqi”.

(Botuar në numrin e sotshëm të “Gazetës Shqiptare”
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb