Qeveria miratoi dje  vendimin i cili rrit shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit, jo vetëm për punën jashtë orarit dhe ditët e festave, por edhe për punën brenda orarit që kryhet natën. Sipas vendimit, koha normale e punës për punonjësit e policisë është 40 orë në javë. Por brenda këtij orari, për çdo orë punë apo shërbim që kryhet nga ora 19 deri në 22 të darkës punonjësit e policisë përfitojnë një shtesë page prej 20 për qind. Ndërsa për intervalin nga ora 22 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, shtesa është 50 për qind e pagës. Sipas vendimit, për orët e punës gjatë ditëve të festave dhe ato të pushimeve javore, punonjësit e rendit do të përfitojnë 25 për qind shtesë page dhe kompensim kohe pushimi të barabartë me shërbimin e kryer jashtë orarit. “GSH” zbardh sot vendimin e plotë të qeverisë.
VENDIM PËR KOHËN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË POLICINË E SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit” dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
I. Kohëzgjatja e punës/shërbimit.
1. Koha normale e punës/shërbimit për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 orë në javë.
2. Për efekt të llogaritjes së pagës orare muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 orë pune.
3. Punonjësit të Policisë i sigurohet një pushim ditor i pandërprerë, prej 11 orësh, para marrjes së shërbimit/punës.
4. Shërbimet e Policisë, si rregull, organizohen sipas një planifikimi 24 orësh, me turne, nga tetë orë secili.
5. Kohëzgjatja e punës natën nuk mund të jetë më shumë se 8 orë pa ndërprerje. Ajo duhet të paraprihet ose të pasohet me pushim ditor të menjëhershëm.
6. Punonjësi i Policisë që shërben natën, në ditët e pushimit javor e të festave zyrtare, brenda kohëzgjatjes normale ditore të punës, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:
a) 20% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 19:00 deri në orën 22:00.
b) 50% për çdo orë pune e shërbimi të kryer nga ora 22:00 deri në orën 6:00.
c) 25% për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.
7. Shtesa mbi pagë, sipas pikës 6, të këtij vendimi, paguhet bashkë me pagën mujore, brenda një muaji nga dita kur është kryer shërbimi.
8. Për nevoja pune/shërbimi, me urdhër të titullarit të njësisë shpenzuese, punonjësit të Policisë mund t’i ndërpritet koha e pushimit ditor/javor duke urdhëruar zgjatjen e kohës së punës/shërbimit.
9. Zgjatja e kohës së punës/shërbimit, urdhërohet nga titullari i njësisë shpenzuese pas kërkesës së eprorit të drejtpërdrejtë të punonjësit të Policisë. Në rrethana të jashtëzakonshme, eprori i drejtpërdrejtë mund të urdhërojë zgjatjen e kohës së punës/shërbimit, por ai duhet të njoftojë titullarin e strukturës përkatëse brenda 2-4 orëve.
10. Urdhri për kohën shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale duhet të përcaktojë:
a) arsyen e zgjatjes së orëve të punës/shërbimit;
b) kohën e fillimit dhe të përfundimit;
c) numrin e punonjësve;
ç) koston financiare.
11. Orët shtesë të punës/shërbimit, kompensohen me pushim të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune, apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00-6:00. Kompensimi me pushim i orëve shtesë të punës dhe shërbimit bëhet brenda 2 muajve nga dita kur janë kryer ato.
12. Në rast të pamundësisë së kompensimit të orëve shtesë të punës/shërbimit me pushim, punonjësi i Policisë kompensohet me shtesë page në masën e përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.
13. Procedurat standarde të punës për mënyrën e pagesës së kohës shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale të punës, miratohen me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.

II. Pushimet vjetore.
1. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë:
a) 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues Madhor”.
b) 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”.
c) 30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”.
2. Të gjithë eprorët kanë për detyrë që të sigurojnë kushtet për kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve që kanë në varësi.
3. Planifikimi dhe koha e kryerjes së pushimeve vjetore miratohet nga titullari i strukturës përkatëse, pas konsultimit me punonjësin, pa cenuar vijueshmërinë e punës, brenda muajit shkurt të çdo viti.
4. Punonjësi ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor edhe në periudha të ndryshme e të ndara në përputhje me pikën 1, të këtij kreu.
5. Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në punë/shërbim.
6. Kur, për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se gjatë muajit mars të vitit pasardhës.
7. Punonjësi i cili ndërpret marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit trajtohet, menjëherë, financiarisht për ditët e pushimit vjetor të pakryera, të llogaritura në raport me kohëzgjatjen e tij të punës brenda vitit kalendarik.
8. Kur punonjësi nuk ka kryer një vit të plotë kalendarik pune, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës së kryer brenda vitit kalendarik.
9. Në çdo rast, pushimi vjetor jepet me urdhër të titullarit në nivel komisariati, drejtorie apo strukture autonome, në bazë të planifikimit vjetor.

III. Lejet e pagueshme.
Punonjësit të Policisë i jepet leje e pagueshme, për rastet, si më poshtë:
a) Martesën e tij 7 ditë;
b) Martesën e fëmijës 5 ditë;
c) Lindjen e fëmijës (baballarët) 3 ditë;
ç) Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortes/it, të fëmijës, vëllezërve, motrave 7 ditë;
d) Ndërrim të banesës 3 ditë;
dh) Sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve 7 ditë;
e) Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve të gradave shkencore për punën që kryejnë 10 ditë.
IV. Dispozita të fundit.
1. Pushimet vjetore, lejet e pagueshme, lejet pa të drejtë page deri në dy muaj si dhe lejet pa të drejtë page deri në tre vjet dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të punonjësit me gradë policore, nëpunësit civil dhe punonjësit administrativ.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: