Mijra rrënjë kanabisi asgjesohen çdo ditë. Me gishtat e dorës numërohen arrestimet e kultivuesve. Edhe sot, mbi 21 mijë rrënjë kanabisi u korrën nga policia në Shkodër dhe në Vlorë por kultivuesit, rrjedhimisht trafikantët, pra përfituesit e parave që gjeneron droga as sot nuk u identifikuan. Një refren i përditshëm u përsërit edhe sot nga policia: u korrën mijra rrënjë hashashi por as edhe 1 kultivues nuk u identifikua.

Bima e kanabisit nuk mbin vetiu. Edhe nëse mbin “pa dashje” duhet dikush që të kujdeset për të. Edhe ai dikush apo ata “askush” duhet të kujdesen mirë në mënyrë që kur kanabisi të korret të ketë cilësi të lartë. E për pasojë, të sigurojë fitimet e mëdha, të shumëpritura.

Një analizë kaq e përciptë i mjafton kujtdo për të kuptuar se lufta ndaj kanabisit nuk është në vetvete një luftë për të shfarosur bimën. Policët janë kthyer në bujq edhe pse nuk duhet të jenë të tillë. Sepse nuk mjafton të dalin me kosë në dorë, në malet, kodrat e fushat e Shqipërisë që kanabisi të mos mbijë më. Pikëpyetje ka shumë por pyetja që shtrohet është: kur do vijë ditë që “kosa” e policisë veç bimës së kanabisit të bjerë edhe mbi kokat e trafikut të drogës?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: