Arrestimi një 61-vjecari, shitës ambulant prej shumë vitesh në qytetin e Sarandës, shkaktoi reagimin publik të shumë qytetarëve. Të hënën policia në një komunikatë për shtyp, deklaroi arrestimin në flagrancë të Bujar Çupit, i cili u ndalua në afërsi të qendrës së qytetit teksa në një bordurë shiste celularë e ora dore.

Policia i sekuestroi atij 134 celularë, rreth 350 aksesorë celularësh dhe ora dore. Aq të lira ishin secila prej tyre, saqë vlera total e të gjithave, gjithnjë sipas komunikatës për shtyp, shkonte rreth 20 mijë euro. Ndaj tij u ngritën akuzat “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.

Duke parë interesin qytetar dhe ndjeshmërinë ndaj rastit, Gjykata e Sarandës ka dalë sot në një deklaratë për shtyp pas seancës për caktimin e masës së sigurisë. Sipas deklaratës, Prokuroria ka kërkuar ndaj tij vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Por gjyqtari Mikel Hysometaj, pasi dëgjoi dhe pretendimet e palës mbrojtëse, vendosi vleftësimin si të paligjshëm të arrestimit në flagrancë të Bujar Çupit, rrëzimin e kërkesës për caktim mase sigurimi dhe lirimin e menjëhershëm të tij nga salla e gjyqit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb