TIRANË- Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të muajve të verës, duke bërë publik shifrat për arrestimet për vepra të ndryshme penale, si ndërtime pa leje, vjedhje e energjisë elektrike, prerjen e pyjeve, zjarrvënie, gjueti e paligjshme e tjerë. Janë 83 persona të arrestuar për këto vepra penale dhe dhjetëra të tjerë në kërkim dhe të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Po kështu në të gjithë vendin, Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar punën për “Parandalimin, evidentimin dhe goditjen e Krimeve mjedisore dhe veprimtarisë së paligjshme të ushtrimit të lojërave të fatit”.

– Në fushën e ndërtimeve pa leje, për periudhën 01.07.2017 deri më datë 09.09.2017 janë evidentuar 680 raste me 744 autorë, nga të cilët:
40 autorë janë arrestuar dhe ndaluar, 36 autorë janë shpallur në kërkim, ndërsa 668 ndiqen në gjendje të lirë.

– Në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike gjatë tre muajve të fundit në të gjithë vendin kanë vepruar në terren mesatarisht në ditë 50 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE.

• Janë kryer 38.123 kontrolle të përbashkëta në terren.
• Gjatë kontrolleve u evidentuan 214 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 222 autorë, nga të cilët:
12 autorë janë arrestuar në flagrancë, 10 autorë janë shpallur në kërkim dhe 200 autorë ndiqen në gjendje të lirë.

– Në kuadër të operacionit “Roja e Gjelbër”, për marrjen e masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 52 raste me 64 autorë, nga të cilët 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 51 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 3 janë shpallur në kërkim.

– Në drejtim të shkatërrimit me zjarr të pyjeve dhe kullotave gjatë periudhës Korrik-Shtator janë referuar në Prokurori materialet procedurale për 62 raste të qëllimshme dhe nga pakujdesia si dhe për 85 raste si aksidentale.

Për rastet e qëllimshme dhe nga pakujdesia janë evidentuar 64 autorë, nga të cilët:
18 autorë janë arrestuar e ndaluar, 42 autorë janë ndjekur në gjendje të lirë si dhe 4 autorë janë shpallur në kërkim.

– Në fushën e gjuetisë së paligjshme, në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste me tre autorë të cilët janë proceduar në gjendje të lirë.

– Në drejtim të evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë së organizimit të palejuar të lojërave të fatit gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 49 raste me 49 autorë të cilët, 3 janë arrestuar dhe 46 ndiqen në gjendje të lirë.

Edhe në ditët në vazhdim, Strukturat e Policisë së Shtetit, do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb