Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Si qytetar jam i kënaqur nga policia që kemi sot. Ajo rrugore na kurdisi me gjoba, dhe shumë syresh prej tyre mund të hanë diskutim në saktësinë dhe drejtësinë e vendosjes. Por kjo sjellje e policisë rrugore ishte e domosdoshme, për të disiplinuar trafikun më kaotik të Evropës. Tani ka mirëfilli më shumë disiplinë në rrugët e qyteteve tona dhe parkimet e paligjshme dyshe shihen shumë rrallë. Në muajt e parë të vitit të kaluar u denda me gjoba, si jo pak qytetarë të çrregullt. Pas gjashtë muajve gjoba pa kursim, erdhi ndryshimi. Një natë e parkoj dyshe makinën dhe shkoj të blej ilaçe në një farmaci të qytetit tim. Kalon makina e policisë rrugore. Polici në timon i ra borisë dhe më priti sa u ktheva nga farmacia. I thashë hallin shëndetësor që kisha. “Lëvize makinën, – më tha butë. – Herë tjetër ndiz dritat e bllokimit dhe kthehu shpejt”. Sjellja e tij më bëri përshtypje më shumë se të gjitha letrat e verdha të gjobave që kisha marrë deri atëherë. Ky është roli normal që një polic trafiku duhet të ketë, krahas kontrollit të trafikut. Atë të këshilluesit për drejtuesit e automjeteve, kur gabojnë pa shumë dëm. Polici në automjetin blu të policisë nuk kishte pamjen e atij që bën të rreptin apo të keqin, për t’i dhënë një pesë mijë lekësh të vjetër apo dhjetë mijë lekësh nën dorë, në vartësi të zhurmës dhe gjobës që të tund përpara syve. Pashë autoritetin e Shtetit në zërin dhe sytë e policit që më këshilloi. Sikurse e dallova këtë autoritet në veprimin e policisë në Lazarat, në ndërhyrjen e kujdesshme, pa goditur familjet dhe civilët e fshatit, por vetëm prodhuesit dhe tregtuesit e hashashit. E shoh në policin që vjen me kujdes në shkollën nëntëvjeçare publike ku kam fëmijët e mi, dhe interesohet për shqetësimet e prindërve prej rrugeçërve të shkollës. E di se një pjesë të mirë të meritës për këtë fytyrë të re më qytetare të policisë sonë ka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, që dje dha dorë-heqjen. Jam i bindur se ky veprim është kryer pa presion nga më lart këtij drejtori, por ka pasur të bëjë llogari vetëm me ndërgjegjen e tij. E kreu këtë akt, duke vendosur një standard të ri në këtë strukturë jetike për ndërtimin e shtetit ligjor te ne. Duhet përshëndetur kjo kurajë civile! Dokumenti përvëlues i ardhur nga Belgjika për përfshirjen e mundshme të një deputeti të Kuvendit në një rast vrasjeje në Bruksel, kishte tre vjet që “flinte” në dosjet e Interpolit shqiptar. Përgjegjësia e drejtorit të përgjithshëm ishte e skajshme. E megjithatë, duke parë lodrën politike që vonesa e veprimit me këtë dokument shkaktoi, ky drejtor i përgjegjshëm dha dorëheqjen. Tregoi moralin e tij si shërbestar i së mirës publike. Pavarësisht se ç’do të thotë apo ka thënë politika e batutës dhe e përbaltjes. Jemi mësuar tashmë me këtë politikë shterpë dhe të lojës dritëshkurtër politike, aq sa pak na bën përshtypje. Ish-drejtori Didi, me veprimin e tij vendosi një standard që vetëm mirë i bën Policisë Shqiptare. Njerëz të tillë ka shumë në policinë tonë dhe këta duhet të inkurajohen dhe nxiten në karrierë, sepse përbëjnë boshtin e një shërbimi kaq të domosdoshëm për sigurinë e jetës së familjeve tona.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: