Policia e Nigerisë thotë se ka shpëtuar rreth 500 burra dhe djem nga një ndërtesë, në qytetin verior të Kaduna, ku dyshohet se u torturuan.

Ata u gjendën në ndërtesën e një shkolle islamike, dhe në mesin e tyre kishte një numër të madh të fëmijëve. Disa u gjetën të lidhur me zinxhirë, tha policia.

Shefi i policisë në Kaduna, Ali Janga, i tha BBC-së, se ndërtesa u sulmua pasi që autoritetet morën informacionin mbi një aktivitet të dyshimtë. Ai e përshkroi atë si një “shtëpi torturash” dhe një vend të skllavërisë njerëzore.

Të ndaluarit thanë se ishin torturuar, abuzuar seksualisht, ishin të uritur dhe e kishin të ndaluar të largoheshin nga ndërtesa. Disa prej tyre kishin qëndruar aty për disa vjet. Në mesin e robërve kishte edhe fëmijë pesë vjeç, tha policia.

Nuk është ende e qartë se si përfunduan në atë ndërtesë. Disa nga fëmijët i thanë policisë se të afërmit e tyre i kishin çuar atje, duke besuar se ndërtesa ishte një shkollë për mësimin e Kuranit.

Dy nga fëmijët e liruar nga policia thanë që prindërit e tyre, i kishin dërguar atje, nga Burkina Faso. Policia beson se pjesa tjetër ishin kryesisht nga pjesa veriore e Nigerisë.
Tetë të dyshuar, shumica prej tyre mësues, u arrestuan. Autoritetet thanë që afro 500 personat e liruar do të marrin menjëherë ndihmë mjekësore dhe psikologjike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb