Prokuroria e Tiranës regjistron hetimet për vrasje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Shëngjergj, më 7 tetor, kur një 36-vjeçar u gjet i qëlluar me plumb në kokë, raporton “Panorama”. Edhe pse paraprakisht Policia e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ta hetojë krimin si vrasje për shkak të disa elementëve të dyshimtë të çështjes. Lajmi u bë me dije nga burime të sigurta të Prokurorisë, që kanë thënë se shtetasi Bledar P., 36 vjeç, është qëlluar me armë zjarri në kokë në mënyrë të dyshimtë. Sipas verifikimeve dhe këqyrjes paraprake, hyrja e plumbit në trupin e viktimës ka qenë në pjesën e pasme të kokës, pranë veshit, dhe dalja në pjesën e përparme. “Referuar këqyrjes së kufomës të bërë në prani të grupit të hetimit dhe ekspertëve kriminalistë e mjekoligjorë, ka rezultuar se hyrja e plumbit ka qenë pas koke dhe dalja në zonën e syrit”, ka thënë një burim nga Prokuroria. Ky fakt është konsideruar nga organi i akuzës si “rast i dyshimtë për t’u cilësuar vetëvrasje”.

HETIMI PËR VRASJE
Për këtë arsye, mësohet se dosja është regjistruar si procedim penal për vrasje dhe në këtë pistë, Prokuroria i ka lënë detyra Policisë së Shtetit për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Nga ana tjetër, mësohet se organi i akuzës ka kërkuar kryerjen e ekspertizës kriminalistike dhe mjekoligjore për të zbardhur përfundimisht ngjarjen dhe për të përcaktuar versionin e asaj çka ka ndodhur. Në komunikatën e Policisë së Shtetit, më datë 8 tetor 2016, theksohen dyshimet se ngjarja në fakt ka qenë një vetëvrasje. Sipas kësaj komunikate, një ditë më parë, në datën 7 tetor 2016 “në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Kollogjesh, Komuna Shëngjergj, në një stan, është gjetur i vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi Bledar P., 36 vjeç, banues në Shkozë. Në afërsi të trupit është gjetur dhe një armë zjarri. Në vendin e krimit shkuan forca të shumta policore dhe ekspertë kriminalistë. Paraprakisht dyshohet të jetë vetëvrasje.”.

DYSHIMET
Versioni i vrasjes së 36-vjeçarit duket se mbështetet edhe nga disa elementë të tjerë të ngjarjes. Sipas hetuesve, 36-vjeçari Bledar P., nuk është gjetur në stan, por në një magazinë të përshtatur për mbajtjen dhe tharjen e hashashit. Fjala është për një ambient gati 3 metra të lartë, me sipërfaqe rreth 200 metra katrorë, me bimë kanabisi të tharë, ndërsa përballë këtij ambienti janë gjetur edhe disa parcela me bimë kanabisi ende të pakorrur. Droga e gjetur në afërsi të viktimës mësohet se është djegur. Prania e lëndës narkotike fare pranë vendit ku është gjetur i vdekur 36¬vjeçari nga një plumb në kokë, sipas hetuesve është element i dyshimtë. Nga ana tjetër, Prokuroria ka kërkuar që ekspertiza të përcaktojë nëse e shtëna që i ka marrë jetën të riut është bërë me puthitje të armës në kokën e viktimës, apo nga distancë e afërt, por pa prekur 36-vjeçarin. Mësohet se krejt vendi i ngjarjes është verifikuar me imtësi edhe një herë pas krimit të ndodhur, me qëllim gjetjen e ndonjë prove apo elementi që mund të ndihmojë hetimin e zbardhjen e krimit. Në versionin e vrasjes, hetuesit dyshojnë ose për ndonjë konflikt brenda grupit që kultivonte drogën, ose edhe për ndonjë tentativë të grupeve të tjera për të grabitur kanabisin që i ishte lënë në ruajtje viktimës. Po dje PD, akuzoi policinë për fshehjen e vrasjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: