Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që frekuentojnë shkollat buzë rrugëve apo që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, strukturat e Policisë në të gjithë vendin, që prej orës 07:00, ishin prezente në të gjitha rrugët urbane e rurale dhe pranë shkollave, me qëllim menaxhimin e trafikut rrugor dhe garantimin e rendit e sigurisë publike, për mbarëvajtjen e një procesi mësimor sa më të qetë.

Punonjësit e Policisë kanë marrë kontakt me drejtuesit e shkollave dhe me oficerët e sigurisë në shkolla, për të koordinuar veprimet në ditët dhe javët në vijim.

Paketa e Sigurisë në Shkolla do të garantojë planëzim më efektiv të punonjësve të Policisë, pranë shkollave, masa parandaluese dhe ndërhyrje profesionale, në kohë, si dhe do të mundësojë që secili nxënës ta shohë punonjësin e Policisë, si mikun e tij më të besueshëm.

Policia e Shtetit uron sukses dhe mbarësi për të gjithë nxënësit e Shqipërisë, në rrugën e dijes.

Policia e Shtetit fton nxënësit, stafet pedagogjike, oficerët e sigurisë në shkolla, punonjësit socialë, bordet e prindërve dhe qeveritë e nxënësve, që të bashkëpunojnë për të siguruar që fenomenet kriminale të mos depërtojë në shkolla dhe ato të jenë tempuj të pacenuar të dijes dhe të edukimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb