TIRANË- Efektivët e policisë kanë marrë shpërblim për ditët e zgjedhjeve, por u kanë harruar orët shtesë dhe ato të natës. Mësohet se pas përfundimit me sukses të procesit zgjedhor, punonjësit e forcave policore kanë marrë nga 50 mijë lekë të vjetra si shpërblim për punën që kanë bërë.

Lajmi konfirmohet nga burime brenda radhëve të policisë, të cilët sqarojnë se shpërblimin e kanë marrë ditët e fundit, ndërsa saktësojnë se shuma e parave që iu është dhënë është vetëm për ditët që kanë qenë në gatishmëri të plotë duke ruajtur materialet zgjedhore. Të njëjtat burime shtojnë se nuk u janë dhënë lekët për orët shtesë që kanë punuar gjatë ditëve të zgjedhjes.

Për orët jashtë orarit zyrtar, efektivët duhet të paguhen afro 110 mijë lekë të vjetra në muaj, të cilat akoma nuk i kanë marrë. Por, edhe orët e natës efektivëve nuk u janë paguar, ndërsa nga ana e institucioneve përgjegjëse iu është thënë se do i marrin shumë shpejt. Prej kohësh, punonjësit e policisë shqiptare kanë pasur probleme me marrjen në kohë të lekëve të orëve shtesë të punës që ata kanë bërë.

Para se të hynte viti 2015, pas shumë ankesash dhe publikimesh në media, policët kanë mundur që të marrin lekët e orëve shtesë dhe të orëve të natës që u takonin që prej vitit 2013. Pas dhjetorit, buxheti i policisë duket se është përmirësuar dukshëm, pasi janë të pakta rastet kur efektivëve u janë vonuar lekët e orëve të natës apo edhe atyre që kanë bërë jashtë orarit të shërbimit.

Ndërkohë, problem ngelet situata me Policinë Kriminale, të cilëve, edhe pse u takon që brenda një viti të marrin veshjet dhe pajisjet dhe në rast se nuk i marrin ato duhet të kompensohen në lekë, të paktën në shumën 400 mijë lekë të vjetra, efektivët e kësaj strukture prej kohësh nuk i kanë marrë ato që u takojnë.

 

(au.ko/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb