Nuk është hera e parë që publikohen dëshmi me zë e figurë sesi efektivë policie dhunojnë qytetarët. Ky rast, më i freskëti ndodhi dje, më datë 19 Shkurt në Kavajë. Kështu shprehet një qytetar që kërkon t’i ruhet anonimati teksa dërgon këtë video në adresën e agjencisë së lajmeve, “BalkanWeb”. Në pamje vërehen 4 policë. Dy mbajnë nga krahët një  person, njëri e godet me sa fuqi ka me shqelma në fytyrë kurse personi i katërt me uniformë policie nuk ndërhyn por ndjek lëvizjet e kolegëve.Më tutje vërehet një makinë tjetër policie që pret t’i dorëzohet i sapo shoqëruari. Pamjet filmike 13 sekondëshe janë realizuar me celuar nga një qytetar që u ndodh rastësisht në këtë operacion policie.



REAGON POLICIA: EFEKTIVËT U PEZULLUAN NGA DETYRA
Pas videos së publikuar në “BalkanWeb”, Policia e Shtetit ka identifikuar punonjësit e policisë që ushtruan dhunë ndaj një qytetari. Policia e Shtetit bën të ditur se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë këta punonjës u pezulluan nga detyra dhe ndaj tyre filloi procedimi administrativ.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e konsideron këtë sjellje një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut si dhe një goditje të rëndë për imazhin e institucionit. Kjo sjellje është e papranueshme për standardin e shërbimit policor.  Megjithatë ajo është e sigurt se veprime të tilla të punonjësve të veçantë të policisë nuk mund të hedhin poshtë punën e institucionit në shërbim të qytetarit. Policia e Shtetit falënderon qytetaret për sensibilitetin që ata tregojnë ndaj çdo shkelje dhe abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë dhe njëherazi i fton ata që të denoncojnë çdo rast abuziv që konstatojnë tek punonjësit e policisë në detyrë, me qëllim pastrimin e radhëve e Policisë së Shtetit nga punonjës që nuk kanë asnjë lidhje me misionin dhe detyrën që ka Policia e Shtetit. Ne jemi të vendosur që së bashku me qytetarët ta ngremë shërbimin policor në standardet e policimit demokratik”- thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
PROKURORIA E KAVAJËS NIS HETIMET


Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet në lidhje me videon e publikuar në “BalkanWeb”, ku punonjës të policisë duken teksa dhunojnë një qytetar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se prokuroria ka nisur hetimet për kryerje të veprimeve arbitrare.
RAMA: FALEMINDERIT QYTETARIT QË BËRI DENONCIMIN
Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarin që dërgoi në agjencinë e lajmeve “BalkanWeb”, denoncimin për dhunën e ushtruar nga disa punonjës policie, ndaj një qytetari në Kavajë. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Facebook”, shefi i qeverisë inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo sjellje të patolerueshme.

“Faleminderit qytetarit që me videon e celularit çoi në ndëshkimin e sjelljes së patolerueshme të patrullës së policisë! Sa më shumë të tilla!”- shkruan Rama.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: