ROMË

Media e njohur italiane “Corriera Della Serra” raporton se policia italiane ka bërë bilancin e vitit të kaluar mbi krimet e kryera në territorin italian. Mbi 8 milionë telefonata kanë mbërritur në numrin e policisë italiane 113 gjatë 2018.

Kjo do të thotë se në çdo 14 minuta ka pasur një thirrje në këtë numër. Viti 2018 ishte ndër më të vështirët për Policinë e Shtetit të Italisë, e cila shënoi 167-vjetorin e themelimit në prani të Ministrit të Brendshëm Matteo Salvini dhe shefit të policisë, prefektit Franco Gabrielli.

Në rubrikën për krimet e emigrantëve, thuhet se janë goditur klane të shqiptarëve, tunizianëve dhe marokenëve. Policia italiane arsyeton se janë arrestuar gjithsej 214 shqiptarë pjesë e bandave kriminale, 202 nigerianë dhe 171 marokenë.

Në analizën e të dhënave tregohet një rritje e krimeve të raportuara në vitin 2018, veçanërisht në fushën e zhvatjes dhe mashtrimeve. Vjedhjet, grabitjet dhe dhuna seksuale po zvogëlohen. Policia italiane ka kryer gjatë 2018 gjithsej 16 166 arrestime dhe 67 096 ankesa për krime të ndryshme vetëm në bazë të ankimeve të qytetarëve.

Nga këta, 478 vetë përfunduan në pranga për vrasje në tentativë, 2 752 për lëndime, 8 524 për vjedhje, 4 357 për grabitje, 12 256 për drogë. Policia ka sekuestruar asete me një vlerë thuajse 140 milionë euro dhe ka konfiskuar 59 milionë të tjera, të gjitha sekuestro me urdhër të gjykatës.

Në fushën e terrorizmit, policia italiane ka zhvilluar operacione kombëtare dhe rajonale, duke çuar në pranga 957 persona, ndërsa thuajse 470 mijë vetë janë kontrolluar. Mbi 11 mijë ngjarje janë mbikëqyrur në rrugë dhe në vende publike. Numri i përgjithshëm i policëve në Itali mbërrin në 98 521, ndërsa dalin në terren e kryejnë shërbime policore 93 050 vetë.

Në sferën ndërkombëtare lufta kundër terrorizmit dhe radikalizimit është fokusuar në disa qytete: Napoli, Sassari, Bari, L’Aquila, Macomer (Nuoro). Njëqind e dy tifozë të futbollit u arrestuan gjatë shërbimeve të stadiumit: Vicenza, Verona, Palermo, Bologna, Napoli dhe Messina.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb