Policia italiane ka finalizuar me sukses një aksion që sheh në pranga 85 persona, pjesë të Cosa Nostras dhe mafieve të tjera italiane.
Sipas mediave, informatorja, Giusy Vitale, motra e një kreu bande, mori në dorë fatin e familjes kur ata u arrestuan. Edhe pse konsiderohej si një e penduar e drejtësisë, sipas prokurorëve përtej Adriatikut, ajo qëndronte në qendër të trafiqeve të drogës.
Bashkë me Vitalen, janë arrestuar motra e saj Antonia dhe nipi i saj Michele Casurrabia.
Ndërkohë policia ka zbuluar më tej, se hetimi kishte zbuluar një përçarje mes bandave, e shumë shpejt, sipas tyre, mund të kishte një betejë të përgjakshme për territor e tregje të reja.
Hetimi tregoi gjithashtu se një oficer i burgut të Palermos, ndihmoi një bos të burgosur, të quajtur Francesco Nanja, të komunikonte me botën e jashtme dhe të jepte koordinime nga brenda institucionit ku kryente dënimin.
(BalkanWeb)