Policia italiane ka ndaluar dy tubime pro-palestineze të cilat ishin planifikuar të mbahen më 5 tetor në kryeqytetin Romë, për shkak të shqetësimeve të sigurisë publike, transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, vendimi erdhi pas takimit të djeshëm të Komitetit të Rendit Publik dhe Sigurisë Kombëtare, i cili u kryesua nga ministri i Punëve të Brendshme, Matteo Pieantedo.
Demonstratat në Romë ishin planifikuar dy ditë para përvjetorit të parë të sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit në Gaza të vitit të kaluar.
Javët e fundit, media italiane raportoi se komuniteti hebre i vendit dhe disa politikanë të krahut të djathtë donin që tubimet të shtyhen.
Që nga tetori i vitit të kaluar, në Itali janë mbajtur demonstrata të shumta në mbështetje të Palestinës.
Megjithatë, tubimet pro-palestineze u ndaluan më 27 janar për shkak të presionit nga komuniteti hebre pasi dita përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Pavarësisht ndalimit, mijëra njerëz u mblodhën në Romë dhe protestuan kundër ndalimit të demonstratave dhe sulmeve të Izraelit në Gaza.
Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit tetorin e vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Pothuajse 41.500 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 96.100 të tjerë janë plagosur.
Sulmet izraelite kanë çuar në zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullatës së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që gjithashtu ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.