ROMË- Policia italiane njoftoi sot se ka arrestuar 14 neofashistë të dyshuar se kërkonin të shënjestronin persona politikë dhe gjyqtarë, ndërkohë që media flet për një plan për vrasjen e disa dhjetëra personave.

“Dy vite hetime dhe përgjime telefonike treguan se grupi, i dalë nga organizata e ndaluar e ekstremit të djathtë ‘Ordine Nuovo’ (urdhëri i ri), kishte filluar të mblidhte armë dhe parashikonte të organizonte një sulm për Krishtlindje”, shpjegoi policia gjatë një konference për shtyp.

Sipas shumë mediave italiane që citojnë përgjegjësin e hetimit, Mario Parente, një polic ishte infiltruar në këtë grup, që synonte të sulmonte hekurudhat e “Equitalia”-s, agjencia e ngarkuar me mbledhjen e taksave.

Sipas gazetës “La Repubblica”, “ata synonin të vrisnin përgjegjës politikë, 10 ose 11 njëherësh. Të hidhnin në erë selinë e ‘Equitalia’-s në një moment kur të gjithë punonjësit të ishin të pranishëm, si dhe të sulmonin pika të policisë”.

Për të grumbulluar armët që ju nevojiteshin për të realizuar planin e tyre, ata kishin parashikuar të vidhnin shtëpinë e një koleksionisti.

“Ordine Nuovo”, themeluar në vitin 1956 me shpresën për të risjellë fashizmin në vend, ishte akuzuar se ka qenë mbrapa shumë atentateve në fillim të viteve 1970 dhe u shpërbë nga qeveria italiane në vitin 1973./

(ma.ar/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: