LUSHNJE- Policia e Lushnjes pas një hetimi një mujor ka finalizuar operacionin e koduar ”Transportuesi”, duke arrestuar dy të rinj në momentin që njëri po i shiste tjetrit një pistoletë.

Të arrestuarit janë Ardit Bino, 21 vjeç, banues në lagjen “20 Tetori”, Lushnje dhe Alvaro Oruci, 27 vjeç, banues në fshatin Izvor, Tepelenë.

Ata janë kapur në vendin e quajtur lokal “Çollaku” Lushnje, në flagrancë në momentin që Arditi po i shiste Alvaros armën e zjarrit pistoletë tip TT, kundrejt shumës që do të varionte nga 50.000 deri 60.000 lekë të reja.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë tip TT dhe 2 aparate celulari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe “Trafikim i armëve dhe municioneve”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: