MAL I ZI- Policia malazeze ka shkaktuar një incident me disa gjimnazistë shqiptarë të cilët kishin shkuar për një udhëtim turistik. Sipas gazetës së Podgoricës, Vijesti, disa nxënës nga shkollat e Tiranës kanë valëvitur flamurin shqiptar duke bërë fotografi, madje duke e puthur atë, në njërin nga plazhet kryesore të qytetit të Budvës, ndërsa janë fishkëllyer edhe nga banorët.

Disa nga nxënësit kanë hipur në muret e vjetra dhe policia ka ndërhyrë duke u marrë flamurin dhe duke i përcjellë deri tek autobusët, me të cilët udhëtonin maturantët. Policia siç raportojnë mediat malazeze ka ndërhyrë me kërkesë të qytetarëve.

Ligjet malazeze rregullojnë mënyrën e shfaqjes së flamujve të vendeve tjera dhe me një rregullore të veçantë është rregulluar përdorimi i flamurit dhe simboleve kombëtare të popujve pakicë që jetojnë në Mal të Zi.

Kjo mënyrë e shfaqjes së flamurit kombëtar është një kundërvajtje dhe trajtohet si prishje e rendit dhe qetësisë.

Pas incidentit në Budva, Ambasada shqiptare në Mal të Zi ka reaguar duke pohuar se është në dijeni të ngjarjes. “Jemi në dijeni për ngjarjen. Një nxënës nga Shqipëria hodhi në shpinë një flamur shqiptar. Nxënësit kanë bërë fotografi në bregdet në afërsi të hotel Avallës”,­ thekson Amabasada shqiptare në Podgoricë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb