TIRANE-Drejtori i Përgjithshëm i Policise, Artan Didi, ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për ndryshime në strukturën e Policisë së Shtetit. Ndryshimet synojnë përshtatjen e Policisë me ndarjen e re territoriale, shtimin e numrit të punonjësve të Policisë, por edhe studimin e kriminalitetit të zonave të ndryshme.

Ndryshimet e planifikuara pritet që të sjellin ristrukturim të komisariateve, duke shtuar disa rajone, posta e stacione Policore. Urdhri i Didit ka për objekt përgatitjen e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel vendor për vënien në jetë të ndryshimeve, shkruan ‘Panorama’.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune, duke përcaktuar me emra konkretë edhe përbërjen e tij, për të nisur një projekt që normon organizimin e strukturave të Policisë. Siç është shprehur në urdhër, grupi i punës do të ketë si qëllim kryesor hartimin e modeleve të strukturave vendore, si postë, stacion dhe komisariat Policie, si fazë e parë e projektit.
Më pas do të realizohen strukturat në nivel qendror.

“Titullarët e Policisë në nivel vendor, drejtor, shef komisariati, shef stacioni Policie, të analizojnë gjendjen e sigurisë publike aktuale, pritshmëritë e saj mbi përgjegjësitë e reja policore sipas ligjit dhe mbi bazën e indikatorëve, si: emërtimi i njësive vendore, kategoria, ndryshimet me ndarjen e re territoriale; numri i popullsisë, raporti polici ­komunitet; volumi i punës, treguesit e kriminalitetit, veprimtaritë operative procedurale të vitit 2013 e 2014; distancat kilometrike, kushtet klimaterike, ndërtimin e organeve të Gjykatës, Prokurorisë, institucioneve të tjera publike etj.”, thotë Didi në urdhrin e tij. Më tej, Didi porosit të gjithë funksionet drejtuese që të marrin seriozisht detyrimet që rrjedhin nga ky urdhër, pasi çdo neglizhencë e konstatuar në vlerësimet e tyre për funksionet përgjegjëse do të shërbejë për fillimin e ecurisë disiplinore.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: