PRISHTINE- Policia e Kosovës ka tashmë një urdhër për arrestimin e Marko Gjuriç, nëse gjendet në Kosovë. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka marrë vendim për t’ia ndaluar për një kohë të pacaktuar hyrjen në Kosovë, Marko Gjuriçit, drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Selimi ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se këtë vendim e ka marrë pasi zyrtari serb është futur të premten në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, pasi nuk i ishte dhënë leja nga autoritetet e Prishtinës.

Ai tha se Gjuriçi kishte kërkuar leje për hyrje në Kosovë vetëm disa orë para planifikimit të vizitës, që bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon se serbët duhet të kërkojnë leje në Prishtinë së paku 24 orë para vizitës. Selimi tha se pas këtij vendimi, u mbetet autoriteteve të sigurisë që të veprojnë.

Top Channel ka mësuar se Policia ka marrë urdhër për arrestimin e Gjuriçit, nëse ai gjendet brenda territorit të Kosovës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: