Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Në të gjitha komisariatet e Policisë së Tiranës mungojnë një pjesë e mirë e mjeteve logjistike. Madje, jo vetëm kaq, por pranë këtyre komisariateve mungojnë edhe mjetet më të domosdoshme për funksionimin normal të një komisariati policie. Burime policore sqarojnë se prej kohësh atyre u mungojnë kompjuterat, printerat apo edhe boja për të printuar. Por, më të domosdoshme për punën e efektivëve të policisë janë automjetet, të cilat në shumë raste mungojnë, por edhe kur ekzistojnë, janë jashtë funksionit apo me defekte.
Mungesat
Prej kohësh dihet situata e mjerueshme në të cilën janë përfshirë strukturat e Rendit, për sa i përket mungesës së mjeteve logjistike. Në fakt, duhet theksuar se pjesa më e madhe e problemeve apo këtyre mungesave janë trashëguar nga e kaluara, nga e cila, për hir të së vërtetës uniformat blu kanë trashëguar mungesën e automjeteve apo edhe mjeteve të tjera logjistike të domosdoshme për punën normale të komisariateve të policisë. Burime policore sqarojnë për “Gazeta Shqiptare”, se gjatë një dite normale të punës së tyre duhet të ndeshen me mungesën e kompjuterave, të cilët edhe kur gjendjen, kanë shumë probleme. Kjo ka bërë që shumë prej punonjësve të policisë t’i gjejnë vetë kompjuterat apo laptopët me të cilët punojnë gjatë orarit të punës. Përveç mungesës së kompjuterave, në shumë raste kanë munguar edhe printerat, si edhe boja për printimin e letrave, të cilat për fat të mirë nuk mungojnë në komisariate. Burime pranë uniformave blu saktësojnë se edhe printerat i kanë siguruar vetë në shumicën e rasteve, po ashtu edhe bojën. Por, problemi që efektivët duan patjetër që të marrë një zgjidhje të menjëhershme është ai i mungesës së automjeteve. Shumë herë kemi qenë të pranishëm në momentet kur punonjës policie janë detyruar që të shtyjnë makinat e strukturave të Rendit, për shkak të defekteve të tyre apo mungesës në shumë raste edhe të karburantit. Por, situata bëhet më serioze në momentin kur punonjësit e uniformave blu lajmërohen se duhet të shkojnë në një vendngjarje të caktuar. Pikërisht në këto momente fillon edhe problemi i punonjësve, të cilët e dinë që në këto raste makina nuk kanë, dhe shpesh, shumica e tyre janë të detyruar që të marrin makinat e tyre personale për të shkuar në vendngjarje. Pa dyshim që në këtë rast duhet të përjashtohen makinat e patrullave të komisariateve, të cilat funksionojnë normalisht, por problemi qëndron me mungesën e automjeteve të posaçme për kryerjen e shërbimeve nga ana e efektivëve. Këto mjete mungojnë në komisariatet e Policisë së Tiranës dhe kjo ka bërë që shumë efektivë, me lekët e tyre të mbushin me karburant makinat personale dhe të shkojnë në vendin e ngjarjes, që nuk mund të presë sa të gjenden makinat e policisë, apo në rastin më të mirë të mundshëm të ndizen makinat e vjetra të strukturave të Rendit. Situata alarmante në të cilën ndodhet policia për shkak të mungesës së mjeteve logjistike është pranuar edhe nga shumë drejtues të saj, të cilët kanë premtuar se shumë shpejt situata do të marrë një zgjidhje.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: