Në Gjirokastër, aty ku e kishin dërguar si mësuese, pianistja Aksinja Xhoja do të takonte një nga artistët e parë nga Perëndimi, që vizituan Shqipërinë.


Ishte viti ’86. Vajza e Meropi dhe Nikolin Xhojës, ndërsa bënte përpjekje që “me dhimbje, me thonj e shpirt” të jepte kontributin e saj maksimal në qytetin e gurtë, takon këngëtarin Albano Carrisi. Lajmin për mbërritjen e tij, ia kishin dhënë gjatë orëve të mësimit. Menjëherë, së bashku me Orkestrën e Gjirokastrës, organizuan një koncert. Në piano performoi vetë Aksinja, e cila gjatë interpretimit, fton edhe Albanon për të kënduar. Këngëtari që në këtë vizitë shoqërohej nga prindërit, kishte mbetur i befasuar, se si në një vend të izoluar komunist, kishte artistë kaq të talentuar.


D2bef3df 022e 45b1 B1e9 Ad36c7a1422c
D2bef3df 022e 45b1 B1e9 Ad36c7a1422c

“Çfarë niveli i jashtëzakonshëm artistik?!”, kishte thënë ai. Pas kësaj, dy artistët do të bisedonin më gjatë e Aksinja do t’i rrëfente këngëtarit gjithë dashurinë e njohjen që shqiptarët kishin ndaj Italisë dhe artit të këtij vendi. “I tregova se këngët e Albanos dhe Rominës ne i dinim përmendësh”, tregon sot artistja, në një kohë që miqësia me Albanon dhe Rominën është konsoliduar. As ajo nuk kishte se si ta mendonte se 3 vite pas këtij takimi, do të shkonte të jetonte në Italinë fqinje.


Shkak bëhet një prej pianistëve më të mëdhenj botëror, Aldo Ciccolini, i cili duke dëgjuar në RTSH piano-koncertin e Çajkovskit nr. 1 nën dirigjimin e Ferdinand Dedës, pikas të talentuarën Aksinjë. Ai i shkruan menjëherë një letër Ramiz Alisë, ku kërkon që pianistja të dërgohet në Akademinë e tij. “Është një talent që nuk i takon vetëm Shqipërisë, por gjithë botës”, shkruante ndër të tjera Ciccolini. Dhe kështu ndodh. Aksinja shkon në Itali, ku angazhohet menjëherë në jetën skenike. Koncertin e parë e jep me Olen Cesarin në teatrin “Argentina”. Vendoset në qytetin ku u lind edhe i ati i saj, Brindisi. Aty, Albano do të mësojë për mbërritjen e artistes shqiptare dhe do ta kontaktojë. Këngëtari i propozon pianistes që të jetonin familjarisht në “Tenuta Carrisi”, ku Aksinja do t’u jepte mësim vajzave të çiftit dhe njëherazi do të bashkëpunonte me Albanon.

7b8fdd8e 4fe3 4637 824a 551104227385
7b8fdd8e 4fe3 4637 824a 551104227385

“Jetuam me ta për pesë vjet. Kanë qenë vite shumë të bukura”, tregon Aksinja për “Panoramën”, e cila vijon ende sot të ruajë raporte të afërta me vajzat, Rominën, Albanon dhe veçanërisht me nënën e këngëtarit, Jolandën. “Më thotë ti je bija ime, vajza që s’kam pasur”, tregon pianistja. Ndonëse emri i saj nisi të lakohej në skenën italiane dhe jashtë saj, problemet nga Shqipëria do të vijonin ta përndiqnin artisten dhe familjen e vet.

Në ’92-shin, kur e ëma, Meropi, ishte për vizitë në Itali, shteti shqiptar i merr me forcë shtëpinë. I nxjerrin në mënyrë barbare jashtë të gjitha plaçkat, ku ajo kishte dhe objekte personale të prindërve. “Është për të ardhur keq, jo sepse prindërit e mi, Meropi dhe Nikolin Xhoja ishin dy artistë të mëdhenj, por sepse ishin dy qytetarë të Shqipërisë dhe meritonin respektin minimal”, thotë Aksinja, teksa rrëfen se deri më sot nuk është përgjigjur askush për atë që ndodhi.

5dc161f4 547b 4d23 9861 A51d1466c702
5dc161f4 547b 4d23 9861 A51d1466c702

Zonja Aksinja, talenti juaj në piano nuk i kishte shpëtuar Partisë, interpretuat që në moshën 6-vjeçare para figurave të njohura të kohës, por ç’ndodhi me formimin tuaj akademik pas Liceut?

Unë vijoja të studioja dhe kisha rezultate shumë të mira, mirëpo në konkursin për pranimin në Institutin e Lartë të Arteve, herën e parë nuk fitova. Kjo ndodhi sepse duhej të fitonin të tjerë pianistë e instrumentistë, që kishin mbështetjen e Partisë Komuniste dhe të jem e sinqertë, sot nuk e di nga kanë humbur. Vlerësimi që bëhej, nuk bazohej te talenti apo angazhimi, por te ndikimi që familjet e tyre kishin në sistemin politik të asaj kohe.

Megjithatë, pas shumë pune e përpjekjesh ju u pranuat në Institut (sot Universiteti i Arteve). Sapo kishit nisur studimet kur arrestojnë për herë të dytë vëllanë tuaj, Ugon. Si ndikoi kjo te ju, për sa i përket arsimimit?

Isha në vitin e parë të studimeve kur kjo ndodhi dhe nëpër mbledhjet e Partisë u diskutua që të më hiqnin. Nuk mundën ta bënin diçka të tillë, pasi ndërkohë, unë kisha arritur rezultatet maksimale, isha në rangun e parë të studentëve dhe kisha dalë disa herë në televizion. Mirëpo, pas kësaj më ndaluan të bëja regjistrime televizive. Ajo çka unë duhet të bëja, sipas tyre, ishte të ulja kokën e të studioja, të diplomohesha dhe të mos pretendoja asgjë. Fakti është se kur unë në përfundim të studimeve përgatita diplomën, zysha ime, Bebi Kristidhi, u shpreh: “Diplomë me një nivel të tillë, si të Aksinja Xhojas, së paku për 50 vjet, vështirë se hasim këtu në Shqipëri”. Mirëpo krahas njohjes së meritës nga një pedagoge si Bebi, kishte edhe momente të tjera që ende kur i kujtoj sot, të ngjallin trishtim. Mbaj mend se krahas pianofortes, ne duhet të studionim dhe lëndë të tilla si Histori Partie, Filozofi etj. Studimin unë e kisha pasion, ndaj edhe përgatitesha mirë në çdo lëndë. Në njërën prej testimeve të mia, një prej pedagogëve më thotë: “Je përgatitur shumë mirë, jo 10, por 11 do të vendosja, por për shkak të kleçkave që ke në biografi, do të vendos 9-të, mos të të vijë keq!”. Unë iu përgjigja: Zoti profesor, unë nuk jam përgatitur për vlerësimin që do të më vendosni ju, por sepse më pëlqen të studioj dhe do të vazhdoj të studioj përgjatë gjithë jetës sime!

7567f25f 143f 4983 96a4 79eb5362deb9
7567f25f 143f 4983 96a4 79eb5362deb9

Pavarësisht rezultateve, pas përfundimit të Arteve, ju dërgojnë si mësuese në Gjirokastër. Përveçse do të jepnit kontributin tuaj për rritjen e nivelit artistik në këtë qytet, do të mund të takonit edhe një nga këngëtarët italianë më të dashur për shqiptarët…

Është e vërtetë, pavarësisht rezultateve të mira, më dërguan në Gjirokastër. Mirëpo, unë vijova të jap pa u stepur kontributin tim dhe hapa aty Liceun Artistik, pasi ishte vetëm 8-vjeçare më herët. Ndërkohë, në vitin ’86, kur unë punoja ende në Gjirokastër, erdhi për vizitë Albano Carrisi, bashkë me prindërit e tij. Romina nuk kishte mundur t’i shoqëronte, pasi ishte në muajt e fundit të shtatzënisë dhe në 25 dhjetor të atij viti do të lindte vajzën, Kristelin. Unë jepja mësim në shkollën e muzikës, kur na lajmëruan. Për ne, kjo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse Albano ka qenë ndër të parët artistë që vinin nga Perëndimi. Kështu, ne organizuam shumë shpejt një koncert, së bashku me orkestrën e Gjirokastrës, ku unë luajta në piano. Gjatë performancës, e ftova Albanon dhe këndoi bashkë me mua. Ai mbeti i mahnitur, u entuziazmua sidomos për cilësinë e lartë artistike që pa në koncertin tonë dhe tha: “Me të vërtetë një nivel i jashtëzakonshëm! Pas kësaj, patëm mundësi të bisedonim e të njiheshim më mirë. Unë i tregova për dashurinë që populli shqiptar kishte për vendin fqinjë, për faktin se njihnin filmat dhe i dinin këngët e Albanos dhe Rominës përmendësh.

Zonja Aksinja, ju vetë, pas 2-3 vitesh, do të zhvendoseshit në Italinë e Albanos dhe Rominës. Diktatura nuk kishte rënë ende, si ndodhi largimi juaj?

Pasi u ktheva nga Gjirokastra, kam punuar edhe një vit në shkollën e muzikës në Durrës. Mandej, në fund të vitit ’89 u nisa për në Itali. Kishte ndodhur ajo që unë as e ëndërroja. Pianisti i njohur Aldo Ciccolini (artist italo-francez i ndarë nga jeta në 2015-ën një nga më të njohurit në botë) kishte dëgjuar një prej regjistrimeve të mia të Koncertit Çajkovski nr. 1, që kisha luajtur në RTSH në vitin ’87, me dirigjent Ferdinand Dedën, dhe pa pasur unë dijeni, i kishte shkruar një letër Ramiz Alisë. Në këtë letër, ai i shkruante: “Kam dëgjuar një pianisten tuaj shumë të talentuar dhe dëshiroj ta dërgoni pranë Akademisë sime, për t’i dhënë mundësinë të bëhet e njohur edhe jashtë, pasi është një talent që nuk i takon vetëm Shqipërisë, por gjithë botës”. Dhe kështu ndodhi, unë bëra një kurs specializimi dhe fill një muaj pas kësaj, erdha në Itali ku menjëherë nisa të angazhohesha në jetën muzikore. Koncerti i parë ka qenë me Olen Cesarin në teatrin “Argentina”, në Romë, me rastin e rihapjes së ambasadës shqiptare.

Zgjodhët Brindisin për të jetuar, qytetin e gjyshit tuaj. Vendin ku u lind edhe babai juaj, Nikolini…

Zgjodha Brindisin, qytetin ku jetoj edhe sot. E para, sepse aty u lind im atë, aty jetoi gjyshi im, që ka qenë një nga personazhet më të njohura të qytetit në vitet 1920. Mandej, sepse njoha edhe bashkëshortin tim, Marcello Scardigio-n. Aty është rritur edhe vajza jonë, Marylini, e cila është pianiste, këngëtare dhe ka bërë edhe shkollën e recitimit. Ka trashëguar pasionin tim për studimin, sot vijon shkollën e drejtësisë, pasi ka mbaruar edhe gjuhët e huaja. Më ka bërë edhe dhuratën më të madhe, nipin tim, Antonion.

Po në Brindisi do të ritakonit dhe Albanon, si ndodhi?

Në ’89-ën, unë i tregova tim shoqi, Marcellos, se isha njohur me Albanon. Ai këmbënguli që të shkonim ta takonim, por ngurrova. Ndodh që në shtatorin e vitit ’91, kur unë isha sëmurë me temperaturë të lartë, dikush troket në derë. Mamaja ime, Meropi, hap derën dhe bërtet: “Ua Albano!”. Ndërkohë, unë dëgjoj zërin e tij të bukur: “Signora, dove la grande pianista, la grande profesoressa? (Zonjë ku është pianistja, profesoresha e madhe?)”. Unë mbeta pa fjalë, ndërkohë që dëgjoj mamanë tek i shpjegon se isha pak sëmurë. Ai troket në dhomë dhe hap derën. Unë, nga turpi, mbulohem, aq sa lashë vetëm sytë të më dukeshin. Albano më pyet: “Çfarë të shqetëson? Si mund të të ndihmoj?”. Më pas u ngrita dhe biseduam. Ai kishte ardhur të më ftonte të jetonim familjarisht në vilën e tij, ku unë do t’u jepja mësim dy vajzave të tij dhe njëkohësisht do të mund të bashkëpunoja me të. Një bashkëpunim që vijon edhe sot e kësaj dite.

Si kanë qenë ato vite ku jetuat në një vilë me Albanon dhe Rominën?

Jetuam me ta për pesë vjet. Kanë qenë vite shumë të bukura. Edhe pse ndjej keqardhje për ndarjen e tyre, unë vijoj ta konsideroj Albanon si vëlla e Rominën si motër. Jam shumë e lidhur me të dy, po ashtu edhe me vajzat, që edhe pse janë rritur, kanë raporte shumë të mira me mua. Kjo edhe sepse gjatë periudhës ku unë jetova në vilën e tyre, Albano dhe Romina shkonin shpesh me koncerte jashtë e dy vajzat qëndronin më tepër në shtëpinë tonë. Kam një lidhje shumë të fortë dhe me nënën e Albanos, e cila më thotë shpesh: “Ti je vajza që unë s’kam pasur, je bija ime”. Është një grua e jashtëzakonshme, shtylla e familjes.

Krahas jetës suaj në Itali, në 92′-shin do të ndodhë një tjetër goditje morale e materiale ndaj jush. Ndërkohë që mamaja juaj, Meropi, ndodhej në Itali, ju marrin shtëpinë në Durrës dhe dëmtojnë arkivin e familjes. Thonë se aktorja Meropi Xhoja iku me këtë peng, çfarë ndodh sot me shtëpinë ku jetuat, dhe me arkivin?

Ai episod ka qenë një grusht i rëndë për nënën time, por edhe për mua dhe vëllezërit. Ime më kishte ardhur te ne për vizitë e do të qëndronte një muaj, ndërkohë që na marrin me forcë shtëpinë. Policia i nxori jashtë plaçkat tona… Nuk kam keqardhje për asgjë tjetër, veçse për arkivin e familjes. Fatmirësisht, një pjesë e kisha marrë me vete, bëhet fjalë për disa fotografi apo dorëshkrime, të vetmet që kanë shpëtuar. Por, një pjesë e madhe humbën dhe për këtë më vjen shumë keq. Do doja që t’i kisha, pasi me forcat e mia, siç kam hapur këtu në Itali Akademinë “Nikolin Xhoja”, do ta hap edhe në Shqipëri. Një Akademi që të kishte formën e një shtëpie muze e të pasurohej me objektet personale të babait. Mirëpo, asnjë nuk është interesuar, asgjë nuk na u dha mbrapsht… Kjo është për të ardhur keq, jo sepse prindërit e mi, Meropi dhe Nikolin Xhoja, ishin dy artistë të mëdhenj, por sepse ishin dy qytetarë të Shqipërisë, dhe meritonin respektin minimal. Ose së paku, të respektohej ligji karshi tyre, siç duhet vepruar për çdo njeri./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb