ELBASAN

Policia e Shtetit vijon kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë një aksioni nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, gjatë kontrollit të ushtruar, në fshatin Gostimë, Cërrik, në një lokal në pronësi të shtetasit A.B., të cilin e kishin marrë me qira shtetasit E.B dhe E.H., kanë konstatuar se zhvillohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit.

Policia futet brenda ambienteve të lokalit dhe pasi njofton se ndodhet për kontroll, të gjithë pranishmit vendosen pas murit dhe kontrollohen nga efektivët e policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: E. B., 29 vjeç dhe E. H., 35 vjeç, për veprat penale “Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”; A. B., 47 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojërat e fatit”.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kompjuterë që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb