TIRANE – Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në protestën e thirrur nga opozita, që të tregojnë kujdes gjatë zhvillimit të tubimit, pasi ekzistojnë informacione për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit sqaroi opinionin publik se nga strukturat e policisë nuk ka patur asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë nga rrethet drejt Tiranës.
Policia e Shtetit thekson se ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin.
DEKLARATA E PLOTE E POLICISE SE SHTETIT
“Policia e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Përmes këtyre masave synohet parandalimi i çdo paligjshmërie dhe garantimi i plotë i të drejtës për të protestuar paqësisht.
Në kuadër të këtyre masave, si dhe në vlerësim të informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sikurse është bërë me dijen gjatë ditës së djeshme, strukturat policore po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore, me qëllim identifikimin e kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë protestës. Ndërkohë që prej orës 09:30 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset e bëra publike më parë.
Sqarojmë edhe një herë opinionin publik se nga strukturat e policisë së Shtetit nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë drejt Tiranës. Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në këtë tubim dhe organizatorët që të tregojnë kujdes, për shkak të informacioneve që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës.
Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: