TIRANË- Vetëvrasja e një personi nga Tropoja në zyrën e Artan Cuku është pista kryesore ku policia po heton për zbardhjen e vrasjes së ish-zyrtarit të policisë Artan Cuku.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se për ngjarjen janë shoqëruar disa persona por nuk dihet nëse ka të dyshuar mes tyre. Ndërkaq policia po rikontrollon vendngjarjen me dritë natyrale në kërkim të shenjave të mundshme të gishtave të lëna nga autorët brenda korridoreve të pallatit ku u vra Cuku.

Ndërkaq janë ngritur versionet hetimore, ku prevalon pista e hakmarrjes për ‘incidentin’ ku një person nga Tropoja i thirrur në polici për t’u pyetur u vetëvra në zyrën e Cukut me armën e tij të shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur kur Artan Cuku ishte shef krimesh në Tiranë. Viktima ishte vëllai i një personi që ishte arratisur nga burgu.

Artan Cuku mbajti detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës nga viti nga 2012 deri në vitin 2013. Ai ka qenë gjithashtu nëndrejtor i Policisë për Krimet e Rënda në Tiranë nga viti 2009 deri në vitin 2011 si dhe shef krimesh në Shkodër dhe Zëvendës drejtor në Fier.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb