TIRANË

Policia Rrugore ka pasur një aktivitet të ngjeshur gjatë fundjavës, duke arrestuar 22 shoferë në të gjithë vendin, ka pezulluar 94 leje drejtimi dhe ka vendosur 4671 masa administrative.

‘Në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, gjatë fundjavës Policia Rrugore në të gjithë vendin ka ushtruar kontrolle duke përdorur drager e radarë, si dhe duke aplikuar monitorimin e qarkullimit me punonjës civilë të Policisë Rrugore”, deklaron policia.

Gjatë fundjavës, në të gjithë vendin u angazhuan 951 punonjës të Policisë Rrugore dhe gjatë kontrolleve duke përdorur aparatin drager u evidentuan dhe u arrestuan 14 persona për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 persona për drejtim mjeti apo motomjeti pa leje drejtimi.

Kontrollet kanë vijuar edhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo për shpejtësi tej normave të lejuara, gara shpejtësie, qarkullim në sens të kundërt, shkelje që ndëshkohen me tërheqje të Lejes së Drejtimit dhe dërgimin në OASH.

Ne funksion te kontrolleve te dedikuara janë pezulluar 94 leje drejtimi, nga këto: 34 për drejtim mjetin nën efektin e alkoolit, 31 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 29 për shkelje të ndryshme.

Gjatë fundjavës janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 197 drejtues mjetesh që qarkullonin pa vendosur rripin e sigurimit, 131 pa vendosur kaskën mbrojtëse.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 658 drejtues mjetesh për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit dhe 770 drejtues për parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Gjithashtu, janë vendosur 1 468 masa për parkime të gabuara, 47 për mungesë siguracioni, 87 për xhama të zi dhe 1 105 masa për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Gjatë fundjavës, vetëm si rezultat i denoncimit të qytetarëve janë vendosur 208 masa administrative për shkelje të ndryshme.
Policia rrugore falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin dhe fton cilindo që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo shkelje të kodit rrugor dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, por dhe për këmbësorët që të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb