Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj akuzoi të shtunën Serbinë për agresion dhe bëri thirrje që t’i jap fund përndjekjes së përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.
Thirrjet e tij pasuan njoftimet se Sërgjan Jovanoviç, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Sreçko Spasiç, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë janë ndaluar të shtunën nga policia serbe në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetet sociale tha se është i papranueshëm keqtrajtimi i vazhdueshëm i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe. “Keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës. Kjo tregon se politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Ndalja e dy zyrtarëve serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës nxiti reagime të përfaqësuesve politikë të vendit të cilët i bënë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë dhe të kërkojë ndaljen e veprimeve të tilla nga Serbia.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se maltretimi i vazhdueshëm dhe shantazhi i serbëve nga Kosova në kufirin me Serbinë është pjesë e një fushate më të madhe sistematike të Beogradit për të frikësuar ata që duan të jetojnë në mënyrë paqësore në Kosovë. “Veprime të tilla synojnë të destabilizojnë rajonin”, shkroi zoti Hoxhaj.

Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndaluar dhe intervistuar nga Shërbimi serb i zbulimit edhe Slobodan Petroviç, deputet i parlamentit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe të paktën tre bashkëpunëtorë të tij, shkruan VOA. Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb