Nëpërmjet një video-postimi në rrjetet sociale, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka njoftuar që sot në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, është ndaluar nga Policia serbe pa asnjë paralajmërim dhe sqarim zyrtar dhe se vetura e saj me të cilën po udhëtonte, është kontrolluar detajisht.

Kjo ngjarja e pa precedent për një kryetare komune në Serbi, ka ndodhur derisa kryetarja e Preshevës Sinani, po kthehej nga një vizitë që i ka bërë komunës së Çairit në Shkup, mbi vendosjen e themeleve të bashkëpunimit midis dy komunave shqiptare asaj të Preshevës në Serbi dhe Çairit në RMV.

Ka muaj të tërë, që kryetarja e Preshevës ka njoftuar mbi poshtërimet që po bën Policia serbe në hyrje-dalje të Serbisë. Ketë veprim Ardita Sinani e ka lidhur me angazhimin e saj në Qeverinë e Kosovës si këshilltare e kryeministrit Kurti, e që në fakt, kjo mund të jetë një përgjigje e Serbisë ndaj veprimtarisë së saj politike, shkruan Lugina Lajmi.

Megjithatë, vetë ajo, por edhe kryetari i partisë së saj, Shaip Kamberi, zyrtarisht kanë kërkuar informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, se përse Ardita Sinani po ndalohet në kufijtë serbë nga policia, por as pas kaq muajve, përgjigje ata nuk morrën.

Reagon deputeti Kamberi pas ndalesës së Ardita Sinanit: Lista e Vulinit po vazhdon të aplikohet

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj ndalimit të sërishëm që u bë ndaj Ardita Sinanit, nga zyrtarët serbë në pikën kufitare në Tabanoc.

Në postimin e tij në Facebook, Kamberi ka shkruar se Lista e Vulinit po vazhdon të aplikohet edhe më tej.

“Serbia gjithnjë e më shumë po largohet nga vlerat perëndimore e aplikimi i demokracisë”. “Sa keq për një shtet që pretendon të bëhet pjesë e BE-së”, ka thënë Kamberi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: