SHKODËR

Policia e Shkodrës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shkodër, në afërsi të shkollave dhe Universitetit duke finalizuar operacionin policor të koduar “Pedonalja”.


Gjatë operacionit janë sekuestruar 990 tableta me lëndë narkotike të dyshuar “Ekstazi” dhe është arrestuar poseduesi i lëndës narkotike.



Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër në vijim të punës për parandalimin, gjurmimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e mara në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike Ekstazi në afërsi të shkollave të mesme dhe Universitetit, referuan materialet në Prokurori, ku dhe u regjistrua procedimi penal për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Bazuar mbi provat e grumbulluara gjatë hetimit 3 – mujor me metoda speciale, si rezultat i të cilave rezultoi se 24 – vjeçari kishte aktivitet kriminal në drejtim të shitjes dhe prodhimit të narkotikëve, Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Pedonalja”.

Si rezultat i operacionit, në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. K., 24 vjeç, banues në Shkodër, ku gjatë kontrollit Policia i gjeti një sasi prej 310 copë tableta të dyshuara si lëndë narkotike “ekstazi”, të cilat po i shpërndante.

Në vijim të kontrollit, në një banesë që ky shtetas e mbante me qera, Policia gjeti edhe 11 qese farmaceutike me një total prej 680 copë tableta, të dyshuara si lëndë narkotike të llojit “ekstazi”.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 990 tableta lëndë narkotike e dyshuar e llojit “Ekstazi”. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”