TIRANË- Shënohet sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit edhe sot  zhvillohen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit nga zyrtarë të shtetit dhe politikës që vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

Përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës kanë kryer homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve. Në homazhe nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Edi Rama, por kanë marrë pjesë Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, etj. Kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha deputetë dhe kryebashkiakë janë përuluar me nderim në shenjë respekti ndaj të rënëve në çdo periudhë për lirinë dhe ardhmërinë e vendit.

META: DITË ANGAZHIMI DHE DETYRIMI
Edhe maxhoranca ka kryer homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se sot është një ditë angazhimi dhe detyrimi për të kontribuuar që Shqipëria të jetë vend më i sigurt.

“Është një ditë mjaft e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, pasi është dita e mirënjohjes së përjetshme ndaj dëshmorëve dhe heronjve të luftës nacionalçlirimtare që dhanë jetën për lirinë dhe një të ardhme më të mirë. Ditë angazhimi dhe detyrimi për të kontribuuar që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt, një vend më i begatë dhe më i lumtur për të gjithë qytetarët e saj”, tha Meta.

BASHA: DITË REFLEKTIMI
Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se sot përulemi me nderim para dëshmorëve të kombit që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë e Kosovës dhe për vlerat e shenjta.

“Sot kujtojmë sakrificën më të lartë për atdheun dhe kombin, flijimin e dëshmorëve të kombit në luftërat që shqiptarët kanë zhvilluar për lirinë e Shqipërisë, lirinë e Kosovës, të drejtat e tyre në Maqedoni e Luginën e Preshevës. Nderojmë heronjtë, bijtë dhe bijat e këtij kombi. Përulemi me nderim të thellë para atyre që dhanë jetën për vlera të shenjta, për lirinë nga krimi nga terrorizmi. Përulemi para bijve dhe bijave që dhanë jetën nën uniformën e forcave të armatosura. E sotmja është edhe një ditë reflektimi, reflektimi i PD para gjakut të dëshmitarët është beteja jonë deri në fitore për një Shqipëri të lirë, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit”, deklaroi Basha.

Pritet që sot paradite, Varrezat e Dëshmorëve të vizitohen nga kreu i qeverisë Edi Rama. Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

KOMUNISTËT HOMAZHE NË VARREZAT E DËSHMORËVE, ME FOTO TË ENVER HOXHËS
Përkujtimit të Ditës së Dëshmorëve i janë bashkuar edhe komunistët, të cilët kanë zhvilluar homazhe tek ‘Varrezat e Dëshmorëve’. Me parrulla në duart që mbajnë mbishkrime “Lavdi shqiptarit të madh Enver Hoxha” dhe foto të diktatorit Enver Hoxha, komunistët vendosën kurora me lule tek varrezat. Të gjithë njëzëri ata pohuan se do t’i qëndronin besnik idealeve të lirisë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: