Nga VILMA FILAJ-BALLVORA-
Incidenti në stadiumin “Partizani” të Beogradit gjatë ndeshjes mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë rizgjoi reminishencat e së kaluarës nacionaliste të Ballkanit. Ndeshja e futbollit e shoqëruar prej ekzaltimit të disa tifozëve serbë që lëshonin parrulla raciste kundër shqiptarëve dhe eksesit të krijuar prej banderolës me hartën e Shqipërisë së Madhe për fat të keq arriti përmasa që i kapërcyen muret e stadiumit. Që e gjitha kjo meriton të dënohet dhe të vihen para përgjegjësisë autorët, është më se e logjikshme dhe besoj e padiskutueshme nga të dyja palët. Por po aq e rëndësishme është që të analizohen me kthjelltësi edhe reagimet e replikat, sa të përfaqësuesve politikë, ashtu edhe të mediave në të dyja vendet. Kjo për faktin, se këto reagime dëshmojnë se palët e kanë të vështirë ta tejkalojnë hijen e vet dhe të shohin përtej horizontit të populizmit dhe nacionalizmit.

E DOMOSDOSHME NJË ANALIZË ME QETËSI DHE KTHJELLTËSI E SITUATËS
Reagimet në Serbi përqendrohen vetëm në faktin se mbi stadiumin e Beogradit fluturoi droni me hartën e Shqipërisë së Madhe, ndërsa anashkalohet fakti që, qysh përpara këtij incidenti futbollistët shqiptarë si të ftuar në këtë stadium ndodheshin nën presionin e fortë psikologjik prej thirrjeve “vrisni shqiptarët” të tifozëve serbë si “mikpritës” në stadium. Nga ana tjetër, pala shqiptare reagon e indinjuar për këto eksese raciste, por i shmanget distancimit ndaj përmbajtjes së kësaj banderole, një hartë me kufij, që i përgjigjen imagjinatës dhe jo realitetit. Të dyja palët do të bënin mirë që përtej reagimeve emocionale dhe populiste ta analizonin më me qetësi e kthjelltësi situatën, në mënyrë që ajo të mbetej vetëm brenda kuadrit të një stadiumi dhe të mos politizohej. Kjo do të ishte e nevojshme për të mos u bërë pre e bindjeve të disa kokëkrisurve që fyejnë dhe as e disa kokëkrisurve të tjerë që hedhin banderola provokuese. Reagimet e fiksuara brenda kuadrit populist i ushqejnë edhe më shumë ndjenjat radikale, duke e intensifikuar spiralen e gjuhës së konfrontimit.

TË MOS PËRGJITHËSOHEN LAJTHITJET E PAKICAVE RADIKALE
Kjo është dekonstruktive. Më e shëndetshmja për secilën palë tani është që as të mos e politizojë dhe as të mos i përgjithësojë lajthitjet e pakicave radikale. Pavarësisht tensioneve të së shkuarës dhe mosmarrëveshjeve në shumë çështje me karakter kombëtar,
kurrsesi nuk mund të stigmatizohen në tërësi qytetaret dhe qytetarët, as të Shqipërisë e as të Serbisë. Parë realisht, mes Shqipërisë dhe Serbisë, veç pikëpamjes diametralisht të kundërt lidhur me Kosovën nuk ka probleme. Realiteti mes këtyre dy vendeve flet për diçka tjetër: midis të dy popujve ka mjaft pikëtakime pozitive dhe mjaft hapësirë për ta thelluar bashkëpunimin, për ta njohur më mirë njëri-tjetrin e për t’u fokusuar drejt së ardhmes, si dy vende që aspirojnë të jenë pjesë e komunitetit të vlerave në një Europë të bashkuar.

NEVOJITET NJË DISTANCIM I QARTË
Parë nën këtë optikë, nga Kryeministri i Serbisë do të ishte me vend një distancim i prerë ndaj eksesit të tifozëve të dhunshëm e radikalë, që fyen të ftuarit shqiptarë në stadiumin e Beogradit. Po aq me vend do të ishte edhe një distancim i qartë i kryeministrit shqiptar prej simbolikës provokuese të banderolës së lëshuar me dronin në stadium, e në këtë kontekst, pak rëndësi ka se kush e ka iniciuar atë. Kushdo që ta ketë inicuar një banderolë të tillë, tregon se jeton jashtë realitetit dhe se synon vetëm provokim insinuatash, që nuk i shërbejnë askujt.

SHQIPËRIA EDHE SERBIA DUHET TË AFROHEN
E pikërisht pas këtij incidenti, vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë – kandidate për në BE – në kryeqytetin e Serbisë – gjithashtu kandidate për në BE – është një rast i mirë për t’u ulur në tryezë e për t’i sqaruar keqkuptimet me urtësi. Nuk është madje vonë që në këtë takim të jepen edhe deklaratat e munguara për distancimin reciprokisht nga gjithçka e ekzagjeruar që ndodhi si dhe për shprehjen e gatishmërisë për të bashkëpunuar në zbardhjen e saj. Si Shqipëria, edhe Serbia, duhet të afrohen o sot, o kurrë, për të realizuar aspiratat për një rajon në paqe e begati, që synon të jetë pjesë me të drejta të plota brenda BE-së. Që kjo të arrihet kërkohet guxim prej krerëve politikë që t’u thonë qytetareve dhe qytetarëve të tyre edhe gjëra, që mund të mos u shkojnë aq me shijen e tyre. Ashtu si një ilaç, sado i hidhur, rekomandohet domosdoshmërisht të pihet për të kuruar një sëmundje, edhe në Shqipëri e Serbi sëmundja e nacionalizmit mund të shërohet vetëm duke e parë realitetin në sy, duke e pranuar atë dhe duke u fokusuar tek e ardhmja. Nëse shumë shqiptarë reagojnë tani, ndoshta thjesht nga një mllef i momentit, duke mos e mbështetur Opinioni i Ditës vizitën e kryeministrit shqiptar në Serbi, ata duhet ta kuptojnë se realizimi i kësaj vizite pikërisht tani ka efektin e balsamit për të evituar simptomat e një të shkuare të trazuar.

KAPËRCIMI I VETVETES ËSHTË FORCË
Shtrëngimi i duarve në Beograd sot në shekullin e 21-të është forcë dhe jo dobësi. Që kapërcimi i vetvetes është forcë dhe në dobi të qytetërimit, këtë e ka dëshmuar më së miri marrëdhënia e shëndoshë që ekziston sot mes Gjermanisë e Polonisë si dhe Gjermanisë e Francës, që i kanë kapërcyer me forcën e arsyes mllefet e historisë si pasojë e përplasjeve shekullore mes tyre për nacionalizma e territore. Shqipëria dhe Serbia sot e kanë këtë model. Po ashtu edhe rruga e tyre për të udhëtuar bashkë drejt Evropës së Bashkuar është e hapur. Popujt e Ballkanit i karakterizon mikpritja, ndaj incidenti në stadiumin  “Partizani” të Beogradit duhet të shihet si një lajthitje e çastit dhe t’i lihet së shkuarës. Kjo mund të kapërcehet më së miri me arsyen e kthjellët dhe me shtrëngimin e duarve mes kryeministrave të Shqipërisë dhe të Serbisë në Beograd. Efekti i kësaj vizite do t’i kalonte edhe kufijtë bilateralë, duke shërbyer si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin, që ka nevojë të çlirohet nga hija e së kaluarës.

(o.d/ GSH/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb