Nga: IRSA RUÇI*
Politika është pasqyrimi i fytyrës së një kombi brenda ndërgjegjes së tij, në masën e reflektimit mbi të shkuarën me forcën e vizionit për të ardhmen. Nuk është thjesht mendimi për t’ju përgjigjur “pse?–ve”, por tej së gjithash, veprimi i projektimit të “si?–ve”. Politika mbetet streha e qenies në idealizimin me produktivitet të funksionit të rëndësishëm për t’i dhënë zgjidhje të sotmes, duke qenë në koherencën e brezave dhe faktimit dinjitetshëm e pa shtrembërime të historisë.
Ndërsa në Shqipëri, në vazhdën e histerisë kolektive ku përfshihemi kohëpaskohshëm, mungesën e pasqyrës që e thyem nga frika e përballjes me veten, e zëvendësuam me delirin e frustrimit të së vërtetës gjer aty sa sot nuk kemi më politikë. Kemi vetëm parti, të cilat ndihen zhurmshëm gjatë fushatave elektorale disamujorëshe, që shtrihen në një periudhë çdo dy vjet dhe injektojnë në ambientin shoqëror përciptësi amatoreske, me improvizime fillestarësh. Por pjesa ku çalojnë më tepër partitë në Shqipëri është në komunikim: Komunikimin e brendshëm, komunikimin me simpatizantët, komunikimin me elektoratin. Ekziston një humnerë e thellë mungese bashkëpunimi mes politikanit dhe individit, mes të zgjedhurit nga populli dhe popullit që askush nuk zgjedh t’ia mbajë hallet mbi kurriz e kryqëzohen veç në kulm të varfërisë: politikani që blen mjerimin dhe uria që shet dinjitetin.
Monotoninë e qetësisë së një vendi që e trazojnë vetëm telashet e përditshmërisë, e përfshin lehtësisht euforia e dendshme e periudhës 30-ditore të fushatave elektorale; ku vrasjet ia lenë vendin duartrokitjeve, vuajtjet–premtimeve me bollëk dhe pa sens logjik, bazuar në parimin se politikani duhet të jetë i mbushur me fuqinë e emocioneve të forta, duke i dhënë peshë mesazhit në qëllimin e arritjes së objektivit që përkthehet në numër më të lartë votash. Një diskurs elektoral është edhe një angazhim social, ku ndërthuren kultura gjuhësore dhe ajo socio– politike mes kandidatit dhe audiencës së tij, angazhuar në aktivitet politik, siç është tubimi zgjedhor. Gjuha është përcaktuar si shënjues i identitetit, ndaj komunikimi politik nuk mund të paramendohet pa komunikimin publik. Dhe sipas George Orwell, “ne duhet ta pranojmë se kaosi i tanishëm politik është i lidhur me prishjen e gjuhës”. Këtë fenomen mund ta përkthejmë konkretisht në realitet, nga ku debatit të kulturuar dhe orientuar në plane konkrete, ia marrin vendin shpifjet, fyerjet, përgojimet ndaj nënës, motrës, gruas etj., bazuar në mentalitetin e thashethemeve dhe vlerat kuptohen si antivlera, ku politikani ironizohet pse në fëmijërinë e tij shiste fiq, ndërkohë që jetojmë në vendin e shitjes mend e fjalë më shumë se punë. Teoritë e strategjisë së fushatës varen në mënyrën kritike të të kuptuarit se si e përpunon informacionin votuesi e për rrjedhojë, mjedisi publik mbushet me ankth, frikë, indinjatë për të rritur pasigurinë, duke përkuar me preferencën e medias drejt eksitimit e dramës. Politikani tipik që nuk konkurron dot me program, i paaftë të përballojë sfidën e menaxhimit të qytetit dhe përballë boshllëkut të padijes shërben metafora e sulmit ndaj kundërshtarit. Paraqitjen e projekteve e zëvendëson propaganda, retorika, përsëritja gjer në dehje, referimi te perëndia, ligjërimi i bastarduar, shprehjet frazeologjike dhe premtimet…, premtimet e frustruara: duartrokitje masive–politikani në vetëkënaqje premton ulje taksash; shtohen brohoritjet – shtohet deliri dhe bashkë me taksat shfaqet dhe betimi për uljen e çmimit të dritave jashtë çdo kompetence; turma të rrëmbyera që thërrasin në emër – e parajsa për pak do t’zbresë mbi tokë, veç një datë e bën diferencën; fati i këtij vendi ndahet në “ne” dhe “ata”, në “sot” dhe “nesër”… në harresë! Në at’harresë që ua kemi dhuruar me indiferencë: unë, ti, të gjithë ne që me heshtjen tonë kemi lejuar politikën të degradojë drejt një gënjeshtre që përsëritet në mënyrë ciklike dhe gjeneron shëmtuar vetëm kopje të vjetra në situata të reja.
Është për të qarë e qeshur që ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit tim endet të bindë shqiptarët për rëndësinë e votës; kandidatin e partisë së tij për pasardhës të këtij posti e ka lënë të përballojë i vetëm peshën e garës elektorale, aq sa me të drejtë më takon të shtroj pyetjen: Kush janë vërtet kandidatët e pavarur të Tiranës, cilat janë alternativat që i shtrohen Tiranës sime në qeverisjen katërvjeçare? Si mund të pretendohet bashkëpunimi më i gjerë me qeverinë, kur mungon njëtrajtshmëria dhe kohezioni brenda partisë që hedh alternativën në konkurrim?
Dhe fajtorët e tolerimit të këtyre rasteve jemi sërish ne: unë, ti dhe të tjerët që mbyllim sytë dhe “velemi” gjer në bezdisje nga fjalët e fryra që rrisin fluksin e ndikimit gjatë periudhës së fushatës; në vend që energjinë tonë ta përkthejmë në forcë dhe zë shprese për të mirën e përbashkët.
Sepse politika është zgjatimi i interesit publik në funksion të krijimit të hapësirave të nevojshme për të përballuar me dinjitet jetën si qytetar i lirë brenda një kuadri normash që rigjenerojnë demokracinë. Politika është sfida e pas 21 qershorit…
(d.d/GSH/BalkanWeb)
