Nga: ASTRIT KOSTURI *
U bë gati një çerekshekulli, që nga përmbysja e socializmit në vitin 1990, që Shqipëria mbetet vendi i vetëm në botë që nuk ka një datë zyrtare për Republikën, duke e lënë kështu të paqartë edhe formën e regjimit dhe të qeverisjes.
Ky është një turp tjetër i madh për politikën shqiptare, për të vetëquajturit politikanë, të majtë e të djathtë, të ndarë formalisht dhe gjithnjë bashkë në qëllimet e tyre djallëzore, të cilët zhbëjnë përditë historinë e popullit të vet, duke u përpjekur të shkatërrojnë gjithë memorien tonë historike e kombëtare.
Përkujtimi i 11 janarit në këto 25 vitet e “demokracisë” gjithnjë ka risjellë në fokus debatin shterpë (si në çdo datë historike), mbi luftën dhe një sërë figurash e personalitetesh, ndërsa qeveritë e politika kanë bërë zhurmën e zakonshme, por asnjëherë nuk thanë se përse nuk e njohin këtë datë, apo të na thoshin se cila është data e Republikës së tyre.
Realisht, politikanët shqiptarë të inkriminuar dhe shantazhuar prej aferave korruptive e qëndrimeve antipopullore janë në hall, sepse të mirat e kësaj Republike për një çerekshekulli ia kanë marrë, por nga ana tjetër, edhe populli (tashmë i braktisur) u duhet për elektorat.
Përse?!…
Popullit ia humbën emrin prej të gjitha institucioneve (nuk ka më Kuvend Popullor, Teatër Popullor, Polici e Ushtri Popullore etj.), duke e quajtur sovranin elektorat, thjesht një numër votuesish. Prandaj janë dyfish në hall dhe u duhet që politika dhe politikanët e saj, të tregojnë kujdes!…
Por kujdesit të tyre i ka dalë boja, pavarësisht se para kamerave, me cirkun e fjalëve dhe retorikën e përhershme përpiqen të jenë të matur. Në këto kushte, që gjithçka duket sheshit, pyetja jonë është e thjeshtë: Cila është data zyrtare e Republikës, “zotërinj”?… Nëse nuk është 11 janari, cila është?! Nëse nuk jemi Republikë, pse nuk e thoni, që dëshira juaj është të jeni edhe zyrtarisht, mbretërit e rinj të këtij vendi, ashtu siç jeni në të vërtetë, Republika e korrupsionit dhe e krimit!
E pra, këtu është frika! Se populli do Republikën Popullore dhe jo famëkeqen Monarki dhe, kështu politika rrezikon të humbasë populizmin, si mbështetje elektorale! Kësisoj, politika prej një çerekshekulli vazhdon “tërhiq e mos këput”, pa e ditur se sa do të zgjasë kjo gjendje kështu.
Është koha që gjithçka të thuhet troç, se ndryshe antishqiptarët dhe tradhtarët e vendit do të mendojë, që shqiptarët u bënë budallenj dhe u gjunjëzuan në ekstrem?!
Pavarësisht politikës dhe (pu)shtetit, populli shqiptar njeh dhe vlerëson 11 janarin 1946 si Ditë të Republikës, si një prej ditëve më të rëndësishme të triumfit ndaj fashistëve pushtues e pushtetit feudal, që rëndonte mbi kurrizin e shqiptarëve!
Prandaj, për çdo vit ka pasur aktivitete përkujtimore e solemne, sesione shkencore e studime (pavarësisht se nuk kanë qenë masive), për këtë ditë madhore të historisë shqiptare, si dhe gjithë periudhën e ekzistencës së Republikës Popullore (Socialiste) të Shqipërisë.
Edhe këtë vit, veteranët e Luftës Antifashiste Çlirimtare dhe populli shqiptar përkujtojnë e nderojnë 11 janarin e gjashtëdhjetë e nëntë viteve më parë, duke e konsideruar këtë datë historike si ditën që përmbysi zyrtarisht monarkinë dhe i hapi rrugën fuqisë popullore.
Lënia në hije e kësaj date nga pushteti i gjithë këtyre viteve nuk erdhi spontanisht dhe pa qëllim, por për shkak të përmbysjes së raporteve të pushtetit me popullin.
Republika Popullore e Shqipërisë ishte emërtimi i shtetit të ri demokratik shqiptar, që erdhi pas fitores së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vendosjes së pushtetit popullor, deri më 28 dhjetor 1976, kur u quajt Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Ky ndryshim nuk preku fare formën e regjimit politik të vendit, por pasqyroi më saktë dhe më plotë, si përmbajtjen e shtetit shqiptar socialist, ashtu edhe përparimin e ndryshimet e gjithanshme, që vendi ynë kishte bërë gjatë 30 viteve. Pra, ky ndryshim u bë për shkak të kushteve të reja të zhvillimit të gjithanshëm politik e social–ekonomik të vendit.
Ndërsa, prej viteve ‘90, Dita e Republikës as festohet dhe as nderohet nga politika dhe shteti i borgjezisë kompradore shqiptare, që u krijua prej grabitjes së pushtetit dhe pasurive të popullit.
Regjimi primitiv e antipopullor i Berishës, nëpërmjet kësaj politike të ndjekur prej tij që prej viteve ‘90, tregoi haptazi, se është vazhdues i politikës tradhtare të ndjekur nga Zogu prej fillimeve të tij, deri kur iku dhe e la vendin dhe shqiptarët të tradhtuar nën çizmen e pushtuesit.

Duke ndjekur këtë politikë, Berisha sulmoi historinë e lavdishme të popullit shqiptar dhe la në hije figura të rëndësishme dhe patriotike shqiptare, si Fan Noli e Ismail Qemali, dhe një sërë veprimtarësh dhe heronjsh të tjerë të Luftës Nacionalçlirimtare. Të njëjtën gjë po bën edhe pushteti i dalë prej zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, që mashtroi popullin shqiptar me programe dhe idetë iluministe të së majtës, por që aktualisht nuk përfaqëson asgjë nga idealet popullore e kombëtare.
Pa e zgjatur shumë, dua të kujtoj në respekt e nderim të kësaj dite të madhe të historisë shqiptare, diçka që ka mbetur e do mbetet në memorien popullore, edhe pse ajo zyrtare është e përmbysur tashmë.
Siç dihet, menjëherë pas fitores së LANÇ-it, më 2 dhjetor 1945, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila u mblodh më 11 janar 1946, nën kryesimin e Omer Nishanit.
Pas procedurave për zgjedhjen e organeve të punës për drejtimin e mbledhjes së Asamblesë, një grup deputetësh të Qarkut të Vlorës, në emër të elektoratit të zonës së tyre, i paraqiten Asamblesë një mocion, me të cilin kërkonin që Qeveria e Kryeministrit Enver Hoxha të mos jepte dorëheqjen, po të vazhdonte punën e saj. Po kështu, në mocion, duke shprehur vullnetin e popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i kërkohej Asamblesë Kushtetuese që Shqipëria të shpallej Republikë Popullore.
Pas votimit në unanimitet për vijimin e punës nga ana e qeverisë së Enver Hoxhës, Asambleja Kushtetuese mori vendimet e saj të rëndësishme. Në fjalën e kryetarit të Asamblesë, midis të tjerash thuhej: Asambleja Kushtetuese e dalë prej zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, duke përfaqësuar vullnetin e sovranit vendosi:
1. Shqipëria shpallet Republikë Popullore me emrin Republika Popullore e Shqipërisë.
2. Me këtë vendim në emër të popullit shqiptar, hiqet përgjithmonë monarkia në Shqipëri dhe Ahmet Zogu e trashëgimtarët e tij humbasin të gjitha të drejtat që kishin pasur dhe u ndalohet përgjithmonë hyrja e tyre në Shqipëri.
Kjo është e vërteta historike, e dokumentuar dhe e pakundërshtuar ndonjëherë me fakte e dokumente të tjera. As në këta 25 vjet të “demokracisë” nuk kemi parë dhe as nuk kemi dëgjuar ndonjëherë të flitet për ndonjë datë apo ditë tjetër të Republikës nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij. Përse kjo heshtje e gjatë çerekshekullore?
Kuptohet, se nuk kanë për ç’Republikë të flasin, veçse për “Republikën zogiste”, që ishte trampolina e Zogut për t’u bërë mbret, pra, një urë kalimi në Monarki! 
Edhe sot duket se për çfarë flitet e shkruhet: Për Republikën apo për Monarkinë, se kush glorifikohet e ngrihet në “qiell” nga politika e shteti shqiptar, Republika apo Monarkia, Fan Noli apo Ahmet Zogu?!
Sjellja e pushtetit të sotëm lidhet me qëllimin e paskrupullt të mbajtjes së pushtetit. Po kështu, fryma e klasës politike 25-vjeçare ka qenë dashakeqe dhe me qëllime të dukshme për të rikthyer Monarkinë. Prandaj, për Ahmet Zogun, Princ Vidin e tradhtarët me radhë, nuk kanë të sosur “nderimet” e shtetit?…
Kjo nuk ndodh kot së koti e si rastësisht apo pse shteti dhe politika zyrtare janë në “kërkim” të një monarku a mbreti të ri për ta risjellë në krye të Fronit mbretëror, por për veten e tyre, nëse do të sajohen apo do bëhen të mundura kushtet e përshtatshme?! Kuptohet, jo një si Princ Vidi, po i një tipi tjetër, nga soji i uzurpatorëve dhe grabitësve të këtyre viteve të “demokracisë”!
Prandaj, edhe sot me rastin e 69-vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, mblidhen qytetarë të shtresave të ndryshme, komunistë e jokomunistë, punëtorë e studentë, intelektualë dhe njerëz patriotë, të rinj e të reja, si një mesazh kujtese e reflektimi, që duhet të përcillet te të gjithë shqiptarët dhe sidomos te brezi i ri, si një sinjal shpresëdhënës për luftën tonë të përbashkët e të pandalshme, deri në fitoren e Demokracisë Popullore.
U bënë 25 vjet që nga përmbysja e socializmit në vitin 1990, që të vetëquajturit politikanë, të majtë e të djathtë, të ndarë formalisht dhe gjithnjë bashkë në qëllimet e tyre djallëzore, zhbëjnë përditë dhe pa u ndalur historinë e popullit të vet, duke u përpjekur të shkatërrojnë gjithë memorien tonë historike e kombëtare.
Rama bërtiste me të madhe gjatë fushatës së 23 qershorit 2013, se do u kthente shqiptarëve pushtetin e tyre dhe çdo pronë të grabitur, përfshi edhe SHQUP-in, që u grabit në mes të ditës, ndërsa vazhdon të uzurpojë pushtetin me klikën e tij dhe të japë koncesione, financime bosëve shfrytëzues dhe të bëjë fshehurazi privatizimin e pronave dhe të pasurive të shqiptarëve.
E njëjta gjë po ndodh edhe me të vërtetën historike të shpalljes së Shqipërisë, Republikë Popullore, ashtu siç përçmohet gjithë historia e lavdishme e luftës dhe e punës së shqiptarëve.
Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH), e njeh dhe e respekton 11 janarin si Ditën e Republikës; po kështu edhe disa parti të tjera të majta e progresiste. Mbi të gjitha, këtë Ditë të Republikës e njeh dhe e vlerëson populli shqiptar, që sakrifikoi aq shumë për të arritur me grykën e pushkës, te pushteti i tij, te Shqipëria, Republikë popullore.
Ripërsëris edhe njëherë pyetjen e thjeshtë: Përse vetëm Shqipëria ka mbetur në gjithë këto vitet e mbas ‘90-ës, një Republikë pa datë dhe pa themele të qarta kushtetuese, siç i deshi sovrani?
Para viteve ‘90, 11 janari ishte ditë feste zyrtare dhe përkujtohej siç ajo e meritonte, një ditë tepër e veçantë, dhe nderohej kudo në emërtimet e institucioneve, shkollave e rrugëve, ndërsa në këta 25 vjet është bërë një datë e harruar.
Pse? Sepse Republika Popullore e Shqipërisë është një fitore historike dhe njëherësh një ngjarje e madhe e shquar, e cila i ka rrënjët e saj te Lufta e popullit tonë për çlirim, që na kujton se duhet të jetë gjithnjë inspiruese në betejat për liri, drejtësi e barazi.
Ky lloj frymëzimi nuk u intereson politikanëve pushtetmbajtës, por vetëm popullit, që është punëdhënësi i vetëm i politikanëve, por dhe i interesuari real për të shpëtuar nga korrupsioni dhe zinxhirët ë skllavërisë shoqërore.
Deri më 23 qershor 2013, pushteti borgjez në Shqipëri, në thelb u pozicionua kundër Republikës dhe në favor të Monarkisë e statujës së Zogut, apo pushtetit personal të oborrit “Berisha”, pavarësisht se është përdorur emërtimi “Republikë”.
Do të dëshironim dhe do të uronim të mos ndodhte më kështu, tani që në pushtet është PS-ja me aleatët e saj të ngushtë, por realisht duket qartë rruga e njëjtë neoliberale dhe ajo e mosndëshkimit të politikave shkatërruese e grabitëse.
Është e “habitshme” që, në këtë çerekshekulli kapitalizëm, nuk kemi dëgjuar të flitet as për ndonjë ditë tjetër të Republikës së Shqipërisë nga shteti shqiptar! Pa dyshim, deri diku, edhe kjo merret me mend!
Duhet theksuar me zë të lartë, se nëse Shqipëria është Republikë, kjo duhet të ketë një ditë të saj, “zotërinj” politikanë!
Nëse shteti shqiptar pranon si ditë të Republikës atë të shpallur nga monarku Ahmet Zogu, kjo i duhet thënë popullit shqiptar, por nuk mund të rrinë dot në pushtet ose duhet të largohen vetë! Por kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse ia kanë ndjerë lezetin pushtetit dhe e kanë mjelë Shqipërinë si kanë dashur. Kjo do të ndodhë kur e vërteta të triumfojë në mendjet e shqiptarëve, që aktualisht janë të trullosur e të mpirë nga propaganda agresive antipopullore!
Ndoshta, populli i mërzitur dhe fatkeqësisht i çorientuar politikisht përballë kësaj anarshie, kërkon ujdinë e dy partive të mëdha, deri edhe shkrirjen e tyre (edhe pse politikisht janë dhe po bëhen haptazi një), pa menduar thellë se vetëm idetë e reja progresiste, që shoqëria shqiptare po mbjell prej vuajtjes dhe mjerimit, do ta çojnë vendin dhe shqiptarët te Drejtësia Popullore, te Republika Popullore.
*Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: