TIRANË

Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 foli për procesin e hapjes së negociatave Shqipëri-BE, ndërsa u pyet edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ai u shpreh besimplotë se Këshilli i Europës në 18 tetor do të votojë pro hapjes së negociatave, pavarësisht se brenda BE ka sot vende që janë skeptike ndaj anëtarësimeve të reja.

“Politikisht dyert e Europës janë të hapura. Palët skeptike janë pak, një apo dy shtete. Shpresoj që përgjigja e Francës dhe  Macron do të jetë pozitive. Klima duket pozitive. Është Franca  ajo që është kryesore dhe ajo kam përshtypjen që do ndikonte edhe në vendimin e Holandës”-tha ai.

I pyetur se si do të vijojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, kur tashmë Albin Kurti dhe Vetëvendosje do qeverisin vendin, deputeti i PS u shpreh si vijon: “Më vjen shumë mirë që procesi i zgjedhjeve ishte i qetë. Ata kanë një sistem me disa parti, që nuk kanë një maxhorancë të qartë. Shpresoj se gjithçka të shkoj mbarë, sepse kjo i duhet më së shumti Kosovës dhe kjo është një provë e dytë që duhet kaluar. Zhvillimi i demokracisë dhe hapi institucional që duhet kryer është shumë më i rëndësishëm se programi politik i vendit. Marrëdhënia jonë me Kosovën  mund të përmirësohet. Kemi sot një marrëdhënie që para dy dekadash nuk ekzistonte. Kanë qenë më shumë  si marrëdhënie vëllazërore. Kjo hap horizonte të reja në ekonomi dhe shoqëri. Do të shkojmë gjithmonë drejt përmirësimit, sepse natyra e kombit tonë është drejt integrimit social  si dy shtete brenda Evropës”- shtoi ai.

(n.m/BalkaWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: