TIRANË

Bashkëkryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” për takimin e djeshëm të Këshillit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE, në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i vendit, Ditmir Bushati.

Teksa i referohet deklaratave të bëra nga Frederica Mogherini, Pollo shkruan se mesazhi ishte i qartë se me qeverinë e rilindjes lufta ndaj krimit është një pengesë dhe për rrjedhojë kjo ndikon edhe për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas tij, Shqipëria dje nuk është vlerësuar, por përkundrazi, Mogherin siç shprehet ai listoi disa problematika ku korrupsioni mbetet ende problem në disa sektorë të qeverisjes së kësaj maxhorance.

“Kush pretendon se dje në Bruksel, në Këshillin e Stabilizim Asocimit (KSA) qeveria Rama mori lavdërimin e radhës nga Komisioni Europian, do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Bushatit, por nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA, ku pala evropiane u kryesua nga Përfaqsuesja e Lartë Mogherini. Ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, znj. Mogherini “mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit”, në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se “BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.

Kontrasti sipas Mogherinit duket qartë. Në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme; në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet; në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve, përfshi kokainën. Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të antarësimit”, shkruan Pollo.

  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb