Qentë Einar, Eliot, Enzo dhe Emi kanë marrë grada të larta ushtarake në Poloni, si pjesë e një programi të ri që synon të nderojë shërbimin e tyre në zbulimin e eksplozivëve, një punë e vlerësuar për mbrojtjen e jetës njerëzore.

AP ka raportuar se qentë ushtarakë, njëri gjerman, tjetri holandez e dy të tjerë belg, janë pjesë e një grupi që kanë detyra me përgjegjësi dhe rrezikshmëri të lartë.

Gjenerali Wiesław Kukuła, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Polonisë, kishte vendosur një vit më parë që qentë që shërbenin në ushtrinë polake të kualifikoheshin për gjashtë grada ushtarake, duke mbërritur deri në gradën simbolike të rreshterit.

“Ndryshimi është mirëpritur nga kujdestarët e tyre besnikë. Kjo ka për qëllim të nderojë punën e palodhshme të qenit në shërbim”, ka thënë nëntetari Daniel Kesicki, që kohëve të fundit i ka trajnuar për pesë muaj disa prej qenve.

Ai ka thënë se ngritja në detyrë është njohje simbolike për shërbimit e qenve ndaj atdheut.

“Nuk është vetëm mjet për zbulimin e eksplozivëve, por edhe qenie e gjallë”, ka thënë zyrtari i ushtrisë polaku, Dominik Plaza, duke bërë me dije se asnjë qen s’ka dështuar në operacionet për zbulim.

Polonia, aleate e fuqishme dhe fqinje e Ukrainës, në fillim të  verës kishte njoftuar se do t’i dërgonte 12 qen të stërvitur për të mbështetur ushtrinë ukrainase në identifikimin e zonave të minuara.

Ushtarët e marrin në mënyrë vullnetare punën me qen dhe angazhohen maksimalisht, duke i stërvitur dhe ushqyer.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: