Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Zëvendës Presidenti i SHBA Mike Pence iu bashkuan udhëheqësve polakë për të përkujtuar 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni, ku konflikti i kaluar është ende një çështje e ndjeshme politike. Pak vende panë vdekje dhe shkatërrim në përmasat e Polonisë, e cila humbi një të pestën e popullsisë, përfshirë shumicën dërrmuese të 3 milion qytetarëve të saj hebrej.

Pas luftës, kryeqyteti i saj i shkatërruar Varshava u desh të ngrihej përsëri nga gërmadhat dhe Polonia mbeti nën sundimin sovjetik deri në vitin 1989. Ceremonitë filluan në qytetin e vogël Wielun, ku nisën bombardimet e para të luftës, më 1 shtator 1939.

Disa politikanë polakë kanë kërkuar dëmshpërblime lufte nga Gjermania, një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Polonisë. Berlini thotë se të gjitha pretendimet financiare që lidhen me Luftën e Dytë Botërore janë zgjidhur. Presidenti Trump e anuloi vizitën e planifikuar në Poloni, sepse siç tha, i duhej të qëndronte në SHBA për shkak të uraganit që po afron.

Qeveria e tanishme polake shihet si një ndër aleatet më të ngushta të Uashingtonit në Evropë. Presidenti Trump ka thënë se do ta realizojë vizitën një herë tjetër në të ardhmen e afërt. /Zëri i Amerikës/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb