Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbërriti në Doha të dielën si pjesë e turit të tij në Lindjen e Mesme, ku u prit nga Emiri i Shtetit të Katarit Sheikh Temim bin Hamad dhe diskutoi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare dhe bashkëpunimin strategjik midis Katarit dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, ai u takua me Ministrin e Jashtëm Katarian Sheikh Muhamed bin Abdul Rahman Al Thani, me të cilin nënshkroi disa memorandume mirëkuptimi në prag të dialogut strategjik të SHBA-Katar, mes tyre edhe marrëveshjen për zgjerimin e Bazës Ajrore Al Udeid në Katar, që është një prej bazave kryesore ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun katarian, Pompeo theksoi se të dy palët biseduan rreth një sërë çështjesh në fushën e mbrojtjes, sigurisë, tregtisë dhe investimeve. Ai vuri në dukje se pjesë e diskutimeve ishte dhe zgjerimi i bazës ajrore Al Udeid, për të cilën palët kishin diskutuar që në raundin e mëparshëm të dialogut strategjik mes tyre.

“Gjëra të shkëlqyera po ndodhin në marrëdhëniet SHBA-Katar. Qeveritë e të dyja vendeve kanë ndërmarrë hapa konkretë për të zbatuar marrëveshjet e arritura në raundin e parë të dialogut në Uashington,” tha Pompeo.

Ai e konsideroi Katarin një “mik të madh” të Shteteve të Bashkuara, dhe falenderoi Dohan për kontributin e saj në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS dhe për pritjen e bazës Al Udeid, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit mes vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm katarian Muhamed Al Thani tha se partneriteti ndërmjet Katarit dhe SHBA-ve është i fortë dhe se marrëdhëniet strategjike dypalëshe do të njohin zhvillime edhe më të mëdha.

Pyetjes në lidhje me bisedimet e tij të planifikuara në Riad, Pompeo iu përgjigj se ai do të flasë me princin e kurorës së Arabisë Sudite Muhamed bin Selman për tu siguruar plotësisht që përgjegjësit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi të vihen para përgjegjësisë, dhe që të gjitha faktet rreth kësaj çështjeje të vihen në dispozicion nga ana e Arabisë Saudite.

Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën dialogun e tyre të parë strategjik në Uashington, në Janar 2018.

BalkanWeb

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: