Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shprehu mirënjohje për Danimarkën si aleate e SHBA, pas anulimit të vizitës shtetërore që Presidenti Donald Trump pritej të bënte atje në fillim të shtatorit.


Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo foli me homologun e tij danez në telefon të mërkurën dhe diskutoi “mbi forcimin e bashkëpunimit në Arktik me Mbretërinë e Danimarkës – duke përfshirë Groenlandën.”


Në fillim të kësaj jave Presidenti anuloi një vizitë në Danimarkë pas refuzimit të propozimit të tij që danezët t’i kërkojnë Groenlandës t’u shitet Shteteve të Bashkuara.


Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të mërkurën se ndjeu keqardhje dhe u befasua që Presidenti i SHBA Donald Trump anuloi papritmas vizitën e tij të planifikuar në Danimarkë kur ajo kundërshtoi sugjerimin e tij për të blerë Groenlandën, territorin strategjik dhe të pasur me minerale, pjesë e mbretërisë daneze.

Më vonë, Presidenti Trump pohoi se e anuloi vizitën pasi kryeministrja daneze bëri një koment “të pahijshëm” si reagim ndaj sugjerimit të tij. /Voa/