Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, i ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për përvjetorin e 11-të të pavarësisë së vendit, ndërsa bëhet i dyti zyrtar i lartë amerikan që flet qartë për njohjen reciproke të Kosovës nga Serbia, pas presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

“Normalizimi gjithpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si pjesë qëndrore të tyre, do të jetë proces jetik për suksesin e Kosovës”, thotë Pompeo.

Në letrën e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në të ardhmen për më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet.

“Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, e uroj Kosovën për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shtetin të pavarur dhe sovran.
Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që t’i hapë dyert drejt së ardhmes me më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet në dekadën e dytë të pavarësisë. Normalizimi gjithpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si pjesë qëndrore të tyre, do të jetë proces jetik për suksesin e Kosovës. Arritja e këtij vizioni kërkon zhvillime të vazhdueshme për t’i forcuar institucionet tuaja demokratike. Ne dëshirojmë ta vazhdojmë ndërtimin e partneritetit tonë dypalësh, të mbështetur në vlera dhe prioritete të përbashkëta, duke e ndihmuar Kosovën për ta shtruar rrugën e saj drejt integrimit të mëtejshëm në Evropë.
Shtetet e Bashkuara e çmojnë lidhjen e fortë mes popujve tanë dhe do t’i mbështesin hapat e atyre që punojnë për ta nxjerrë në pah potencialin e madh të Kosovës”, shkruhet në urimin e Pompeos.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb