Analisti Fatos Lubonja teksa ka dhënë një opinion në lidhje me krizën politike në vend, ku kryefjala është Gjykata Kushtetuese, theksoi se përplasja Presidencë-qeveri është në pikën kulminante të ndeshjes.

Përmes një lidhje skype Lubonja është bërë pjesë e rubrikës ‘Opinion’ në ‘News24’ ku ka komentuar deklaratën që bëri më parë Ilir Meta se: “Popullit i ngelen tre rrugë; Të marrin armët, të bëhen skllevër të një partie, o të ikin”, ndërsa theksoi se ndjen diçka të vërtetë në qëndrimin e presidentit.

Mes të tjerash Lubonja pohon se veprimet që ka bërë kryetari i KED, Ardian Dvorani, janë të telekomanduara dhe se duket qartë se ai ka shkelur Kushtetutën. Analisti po ashtu nënvizoi faktin se në rastin e themelimit të gjykatës Kushtetuese ndërkombëtarët nuk kanë luajtur rolin e arbitrit, ndërsa shton se në rastet kur e kanë bërë kanë gabuar.

INTERVSITA E PLOTË
Si e keni parë këtë ngërç në gjykatën Kushtetuese?

Për mua është një ndeshje kulminante. Një pikë kulminante e saj midis institucionit të presidentit dhe të parlamentit dhe qeverisë. Midis maxhorancë dhe atyre pak përpjekjeve opozitare që kanë ngelur. Lexova një deklaratë të Metës që duhet komentuar; “Nëse bie dhe kjo përpjekje që po bëj unë për të mbrojtur Kushtetutën, por edhe për të mbrojtur dhe një ndarje pushtetesh, popullit i ngelet o të marrë armët, ose t’i nënshtrohet një diktature ose të ikë nga Shqipëria”. Unë në këtë deklaratë ndjej diçka të vërtetë. Ajo puna e armëve, është punë e vështirë. Këtu ha debat se kush do t’i ngrejë armët. Këtu kemi pasur më shumë luftë mes partive, sesa mes popullit. Kemi pasur pluralizëm partish që krijonin iluzionin e një sistemi më demokratik. Sot kemi idenë e sëmurë të Ramës se s’duhet të kemi më parti, edhe pse s’kanë qenë. Janë parti që në një farë mënyrë kanë qenë parti të kësaj oligarkie dhe kërkojnë ta kontrollojë Rama të gjithën. Ky është problem i madh. Kemi arritur të momenti final i kësaj ndeshje, ku vërtetë ose do detyrohen të gjithë shqiptarët që t’i nënshtrohen një partie shtet, ose do detyrohen të marrin armët. Ata njerëz që janë zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, këtu bën muu, një skandal i kapjes së saj. Dvorani është i telekomanduar. Shkelja e ligjit aty është e qartë. Shkelja e Kushtetutës. Ajo që më duket se po ndodh është se hap pas hapi, edhe me mbështetjen e disa ndërkombëtarëve, Edi Ramës i duket se e ka të hapur rrugën për t’i kapur të gjitha. Me këtë rrugë që i ka hapur vetes kjo bandë mund të thotë se; “rezultati është 60 me 40 në favorin tonë dhe mbaroi puna (zgjedhjet)”. Si Pinoçeti në Kili, (Augusto Pinochet) ashtu e bëri ai. Dhe njerëzit me dy pare mend duhet të veprojnë si të pavarur dhe t’i thotë; ‘ndal kësaj gjëje’. Se mund të na çojë në një situatë si ajo që përshkruan Ilir Meta.

Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Pasi mbetet e paqartë. Opinioni publik është mes një ‘lufte’ mes institucioneve që ja tregojnë gishtin njëri-tjetrit?!
Siç gjykoj unë të paktën këtë historinë e Kushtetueses mendoj se ky Dvorani nuk merr vendime të pavarura. Ky ka bërë shkelje kushtetuese me qëllim që të kapet Gjykata Kushtetuese nga partia e Ramës. Kapja e Kushtetutës që mund të parashikojë dhe në largimin e presidentit nga institucioni i Presidentit është një hap i rrezikshëm, drejt kontrollimit të gjithçkaje në Shqipëri. Nuk mendoj se janë duke vepruar të gjithë si ua merr mendja. Mendoj se një pjesë e institucioneve, si Kuvendi apo KQZ kanë një orkestrim në një krah. Presidenti ka dhe ai një pjesë akoma. Kjo deklarata e fundit e gjykatës Kushtetuese lë të kuptojë se është pranuar zgjedhja e tij (e presidentit). Kjo zgjidhje kërkon një arbitër. Ngelemi tek një rreth vicioz. Ndaj thotë ai; “të marrim armët”. Në një moment të tillë duhet ose të mbetet një arbitër ndërkombëtar, ndaj thotë edhe Rama; “Shiko kemi ata”. Argumentet ligjore të çdo njeriu që ka pak bonsens për të parë zhvillimet, janë të qarta. Këta gjyqtarë po vihen aty për të kapur edhe Kushtetutën. Ndërkombëtarët për arsye të ndryshme, ju intereson që të zgjidhet një Gjykatë Kushtetuese sa më parë dhe për fat të keq s’kanë bërë arbitrin. Por s’mund të presin që ta bëjnë ata, pasi shumë herë kanë gabuar. E ka treguar dhe historia. Edhe ata janë palë, pasi i kanë hyrë një reformë të dështuar që në krye të herës, ku përgjegjësi ka dhe opozita. Duhet bonsens. Por bonsensi duhet të jetë nga ata njerëz brenda maxhorancës, nëse nuk duan që të demonizohen si bashkëpunëtor të një regjimi. Kështu si shkoi puna ata do të trajtohen një ditë si ata të regjimit komunist.

Shpresa juaj është tek grupime brenda maxhorancës!
Është një thirrje që i bëj atyre që të distancohen dhe mos të bëhen bashkëpunëtor i këtij regjimi. Janë kapur si në kohën e komunizmit. Nuk mund të shkohet kështu që një bandë të të kapi dhe të mbajë popullin në gjendje diktature. Kështu e përjetoj. Ndoshta duket shumë emocionale. Hija e diktaturës që kap dhe që përdor institucionet për të shtypur vendin është e qartë. Shqiptarët po ikin se s’kanë më besim tek institucionet.

Ju thatë pak më parë se; ‘Duhet të reagojnë ata që janë brenda maxhorancës, përndryshe do të konsiderohen përgjegjës si ata që morën pjesë në krimet e komunizmit’. Po pse atyre çfarë iu ndodhi?
Kjo është një pyetje e drejtë, ndoshta ngaqë nuk kemi vepruar si duhet në atë kohë dhe po përsëritet historia. S’po them se ata njerëz duhet të masakroheshin. Por duhej një lloj ndëshkimi duhej që mos të përsëritej kjo histori. Ashtu siç ndodhi në ’97 që nuk u dënua njeri. Kemi një klasë që ka kapur pushtetin, që bën poshtërsitë e mundshme dhe se gjen gjë. Tani e mira e të mirave është një rrugë e gjatë që të shpëtosh nga këto klasa politike. Kam përshtypjen se këtu po kalohen disa limite, që shqiptarët edhe pse se kanë duruar këtë klasë politike, të tepsive siç e quaj Rama, gjer këtu po kalohen disa caqe. Ajo që ndodhi tek Astiri ishte dramatike. Të shkosh ti dhe të shkatërrosh ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar tregon se këtu s’jemi të sigurt. Po pse ore vetëm për të ndërtuar ca pallate oligarkësh dhe kriminelësh atje! Po ndalo mo ndalo…

Përgjatë ditës së sotme ka pasur artikulime të forta nga liderët politikë. Nga zoti Rama apo dhe nga intervista që pati zoti Meta dhe në deklaratën që bëri sot me gazetarët. Si e keni parë gjuhën, janë drejtuar me fyerje të shumta ndaj njeri-tjetrin. A mendoni se është rritur edhe më shumë kurba në kulm?
Po është një ‘luftë’ me fjalë, pasi akoma nuk janë marrë ‘armët’. Është një luftë që e përjashton komplet tjetrin. Rama i thotë; “ky është njeri i çmendur”. Nuk merret me argumente dhe thotë; “Kemi ndërkombëtarët që thonë kështu”. Po mirë mo, a kemi ligje në këtu?! Për mos të folur për të tjera që ligjet që i mbrojnë qytetarët tek Astirit po shkelen me dhunë. Retorika e fjalëve po shkon shumë afër asaj që ndodh në të vërtetë, një ndeshje dhe urrejtje dramatike ndaj shqiptarëve. Në një moment të caktuar po të ketë fuqi tani me Gjykatën Kushtetuese e shkarkon presidentin. Nëse presidenti bëhet kryetar partie, vepron me protesta, e arreston me drejtësinë që ka në dorë (qeveria). I fut nja dy tre akuza dhe mbaron historia. Jemi duke shkuar drejt kësaj situate. Nuk është halli i tyre, por i gjithë funksionimit të demokracisë dhe pluralizmit dhe dialogut. Këtu është; cila bandë fiton dhe shkatërron të tjerët përfundimisht.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: