GJIROKASTËR
Përvetësoi 42000 euro, nëpërmjet mashtrimit, ndalohet 27-vjeçari në Gjirokastër.
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryera për 4 muaj, në bashkëpunim me Prokurorinë Gjirokastër, për sigurimin e provave për një rast të mashtrimit, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”.
Si rezultat i tij, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u kap dhe u ndalua shtetasi Algert Koko, 27 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar një shumë prej 42000 euro, nga një shtetase. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, gjetën të fshehur dhe sekuestruan një armë sportive pistoletë, të cilën e mbante pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.